Rasti i të miturës në Drenas iniciohet edhe si rast i dhunimit

Një vajzë e mitur në Drenas po dyshohet se është dhunuar pasi të njëjtës i është dhënë substancë narkotike e dyshuar si kokainë.

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës fillimisht u tha se e mitura ka raportuar se një burrë i ka dhënë substancë narkotike të llojit kokainë, e se ekzistojnë dyshimet se më pas viktima është abuzuar seksualisht.

Raporti bëri të ditur se rasti që ka ndodhur më 11.11.2024 në 18:00h është iniciuar si intoksikim i personit tjetër me narkotikë ose substanca psikotrope.

Mirëpo, në një përgjigje për KALLXO.com Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se rasti është iniciuar edhe si dhunim.

“Sa i përket rastit për të cilin keni kërkuar informacione, ju njoftojmë se rasti është iniciuar për shkak të veprës penale dhunimi dhe intoksikimi i personit tjetër me narkotikë ose substanca psikotrope, kurse me vendim të prokurorit të shtetit një person është ndaluar për 48 orë” – thuhet në përgjigjet e Prokurorisë.

Tutje u tha se në koordinim me Policinë e Kosovës prokurori i shtetit është duke e hetuar rastin.

Prokuroria theksoi se në këtë fazë të procedurës për këtë rast nuk mund të publikohen më shumë informata.

Dyshohet se u drogua dhe u abuzua seksualisht një e mitur në Drenas, arrestohet i dyshuari