Rasti i padisë për shpifje ndaj Pal Lekajt, kthehet në rigjykim

Gjykata e Apelit, ka Aprovuar Ankesën e paditësit Shaqir Vula dhe ka vendosur që lënda të kthehet në rigjykim në rastin e padisë për shpifje ndaj Pal Lekaj dhe Komunës së Gjakovës.

KALLXO.com ka kuptuar se përfaqësuesi i autorizuar i ish-kryetarit të komunës së Gjakovës është Meshari Selimaj dhe i njëjti ka treguar që kanë pranuar aktgjykimin e Apelit.

Sipas Aktvendimit të siguruar nga KALLXO.com, Apeli ka vendosur që rasti të kthehet në rivendosje.

“Është pranuar aktgjykimi nga ana jonë, akoma nuk e kemi bërë vlerësimin se çka konkretisht përmban i njëjti, por se është e pabazuar ajo padi në kuptimin formal dhe material do të vërtetohet prapë në rigjykim”, ka thënë Selimaj për KALLXO.com

Në vitin 2009, ish-përfaqësuesi i komunës së Gjakovës tani noter Shaqir Vula, kishte ushtruar padi për shpifje ndaj ish-kryetarit të komunës së Gjakovës, Pal Lekaj dhe Komunës së Gjakovës, duke kërkuar kështu kompensim në vlerë prej 1,000,000.00 euro.

Në padi thuhet se Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese-BIRN, në RTK në vitin 2008 përmes emisionit “Jeta në Kosovë-Debatet Komunale”, të udhëhequr nga Jeta Xharra, Pal Lekaj në cilësinë e kryetarit të komunës së Gjakovës i ftuar si mysafir i emisionit ishte pyetur “përse nuk i është vazhduar kontrata e punës Avokatit Publik të Komunës – Shaqir Vula?.

“Shaqir Vula, si avokat i komunës i ka humbur të gjitha rastet nëpër gjykata dhe se ai ka dështuar në punën e tij si Avokat Publik në mbrojtjen e interesave të komunës dhe se puna e tij është vlerësuar negativisht edhe në sesionet e mëparshme të Kuvendit, prandaj në vendin e tij të punës është shpallur konkurs”, ishte përgjigjur Pal Lekaj.

Këtë përgjigje, paditësi Shaqir Vula e kishte konsideruar shpifje të kulluar, e duke rezultuar me një padi.

Në padi thuhet se Vulës i është shkaktuar dëm i madh material dhe moral, se deklarimi i Lekajt ishte i pasaktë dhe i paargumentuar.

Përmes kësaj padie, Vula kishte kërkuar nga Gjykata e atëhershme Komunale në Gjakovë, që të detyrohet Pal Lekaj që ta ndalë shpifjen, që shpifjet e tilla të mos përsëriten dhe të bëjë tërheqjen e këtij informacioni shpifës.

Përveç kësaj, Vula përmes padisë kishte kërkuar nga Lekaj dhe Komuna e Gjakovës si përgjegjëse në kuptimin objektiv, që solidarisht t’i kompensojë paditësit dëmin material dhe moral të shkaktuar nga shpifja në shumë prej 1,000,000.00 euro si dhe shpenzimet procedurale.

Pas kësaj padie, në vitin 2016 Gjykata Themelore e Gjakovës, me aktgjykim e gjykatësit Besnik Bislimaj kishte refuzuar kërkesëpadinë e paditësit Shaqir Vula, si tërësisht të pabazuar si dhe kishte vendosur që secila palë t’i bartë shpenzimet e veta procedurale.

Gjykata kishte konsideruar se përmes palëve ndërgjyqësore nuk ishte kontestuese fakti se i padituri në cilësinë e kryetarit të komunës Pal Lekaj në emisionin “Jeta në Kosovë” kishte thënë se “Shaqir Vulës nuk ju ka vazhduar kontrata pasi që nuk kemi qenë të kënaqur me punën e tij, pasi që shumë lëndë kanë mbetur në rafte të pazgjidhura dhe se të gjitha lëndët i ka humbur nëpër gjykata”, por e njëjta gjykatë sipas aktgjykimit thuhet se e ka parë si të nevojshme edhe vlerësimin se çka konsiderohet shpifje sipas Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes.

Nga kjo ka rezultuar se i padituri nuk mban përgjegjësi për deklarimet e tij të bëra në cilësinë e kryetarit të komunës së Gjakovës, pasi i njëjti në emision është ftuar në cilësinë e kryetarit dhe deklaratat e dhëna paraqesin deklarata me interes për informimin e publikut në lidhje me punën që bëhet në Komunën e Gjakovës.

Ndërsa, sa i përket të paditurës së dytë pra Komunës së Gjakovës, Gjykata kishte vlerësuar se i mungon legjitimiteti pasiv për të qenë palë në procedurë, pasi që për çdo deklaratë mban përgjegjësi zyrtari i cili ka dhënë deklaratë e jo edhe institucioni ku ai punon, pasi që përgjegjësia për shpifje është individuale.

Kundër këtij Aktgjykimi të Gjykatës Themelore të Gjakovës, paditësi Shaqir Vula kishte parashtruar Ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës dhe atë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.

Në këtë ankesë, Vula kishte kërkuar që të prishet aktgjykimi i shkallës së parë dhe lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

Përveç kësaj, ai kishte kërkuar që në rast se çështja kthehet në rigjykim, rasti të i ndahet një gjykatësi tjetër.

Pas 5 vitesh, në muajin shkurt të vitit 2021, Gjykata e Apelit e Kosovës në Prishtinë, në kolegjin e përbërë nga gjyqtarët Rrustem Thaçi, Qerim Ademaj dhe Zenel Leku, kanë aprovuar ankesën e paditësit Shaqir Vula, duke vendosur kështu që të prishet aktgjykimi i shkallës së parë dhe lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

Gjykata e Apelit, kishte vlerësuar se përfundimi dhe qëndrimi i shkallës së parë nuk është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi i njëjti aktgjykim ishte përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, pasi fillimisht është dashur të vendoset për lejueshmërinë apo afatshmërinë e padisë së paditësit në kuptimin subjektiv.