Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rasti i largimit të Xhafer Gashit nga kafiteria, IPK dërgon raport informues në Prokurori

Mbrëmja në mes 15 dhe 16 shkurtit të këtij viti kishte zënë kryetarin e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi brenda lokalit “Nostra” në këtë qytet.

Po në këtë natë, një rreshter i Policisë së Kosovës kishte tentuar që Gashin ta largonte nga lokali, i cili do duhej të ishte i mbyllur për shkak të masave të pandemisë.

Informacionet e ngjarjes të këtij rasti janë trajtuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës.

IPK thotë se i ka analizuar video materialet dhe ka nisur një raport informues në Prokurorinë e Shtetit.

“IPK, respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve në kuadër të veprimeve hetimore kanë përfunduar analizimin e video materialeve. Për këto veprime, IPK ka dorëzuar gjatë kësaj jave një raport informues në Prokurorinë Themelore të Prishtinës”, ka thënë zëdhënësi i IPK-së , Arbër Beka në një përgjigje për KALLXO.com.

KALLXO.com kishte siguruar raportin policor ku përshkruhet momenti kur Policia kishte tentuar ta largojë nga një lokal të parin e komunës së Obiliqit. Ky raport tregonte se policët e kishin pritur disa minuta Gashin për t’u larguar nga kafeneja, ndërsa pas kësaj Gashi kishte shkuar në stacion, ku sipas raporti të policit të rastit, aty kishte pasur tensione.

KALLXO.com kishte provuar të marrë një qëndrim nga Gashi, por i njëjti nuk është përgjigjur për dy ditë me radhë.

Më 21 shkurt të këtij viti Gashi ka dalë me një deklaratë në lidhje me këtë incident. Ai shkrimet e publikuara, që kanë dalë nga raporti policor, lidhur me rastin i ka quajtur “të pavërteta” dhe “tendencioze”.

“Për hir të korrektësisë dhe opinionit të gjerë, lidhur me shkrimet e publikuara gjatë ditëve të vikendit, dëshiroj të ju njoftoj se në këto shkrime qëndrojnë shumë të pavërteta dhe se këto shkrime janë totalisht tendencioze dhe me qëllime të dëmtimit të imazhit tim politikë, kjo dëshmohet përmes publikimit të një raporti policor të njëanshëm me përmbajtje të pavërtetë nëpër portale dhe media, e që besoj se kjo që përbën shkelje të rënda të ligjeve në fuqi në mbrojtjen e konfidencialiteti”, thuhej në reagim.

Për më tepër, në deklaratën e Gashit thuhej se do të kërkojnë sqarime nga organet kompetente rreth këtij raporti.

Në reagim mes tjerash thuhej se “Komuna e Obiliqit si institucion i vënë në shërbim të qytetarëve dhe vetë Gashi si kryetar komune, kanë një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me institucionet e sigurisë, në veçanti me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Stacionin Policor në Obiliq”.

Gashi i ka falënderuar policët për punën dhe angazhimin e vazhdueshëm në ruajtjen e sigurisë në territorin e komunës së Obiliqit.

“Prandaj, jo vetëm zyrtarët policor të Obiliqit por edhe çdo polic i cili shërben në territorin e Kosovës, ka qenë dhe do jetë gjithmonë i respektuar për mua”, thuhej në deklaratën e tij.

KALLXO.com më 19 shkurt 2022 ka raportuar lidhur me raportin policor të siguruar nga redaksia.

Në këtë raport është përshkruar ngjarja e cila ka ndodhur në mesnatën në mes 15 dhe 16 shkurtit në qytetin e Obiliqit.

Raporti tregon se policët e kishin pritur disa minuta Gashin për t’u larguar nga kafeneja e cila do duhej të ishte e mbyllur për shkak të masave të pandemisë, ndërsa pas kësaj Gashi kishte shkuar në stacion, ku sipas raporti të policit të rastit, aty kishte pasur tensione.

Në mbrëmjen në mes 15 dhe 16 shkurtit policët e Obiliqit kishin dalë të kontrollonin kafiteritë të cilat ishin hapur, duke shkelur kështu masat e vendosura nga Qeveria për shkak të pandemisë.

Në ora 12 pas mesnatës në lokalin “Nostra”, policët përshkruhet se hasën edhe kryetarin e komunës, Xhafer Gashin.

Kur policët ishin afruar tek dera e lokalit, sigurimi i kryetarit u kishte thënë se kryetari ka pirë pak, ndërsa zyrtarët policorë kishin kërkuar që të largohen nga aty pasi po shkeleshin masat e pandemisë.

Raporti i rreshterit të policisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon pas kësaj kërkese të policisë në tavolinën e kryetarit ishin porositur sërish pije. Pas kësaj, policët kishin shkuar më tutje, duke e paralajmëruar pronarin e lokalit, që nëse nuk mbyllet, menjëherë do të gjobitet.

Ngjarja nuk kishte përfunduar me kaq. Kryetari Gashi, sipas raportit policor, kishte shkuar në stacionin e policisë, e ku përshkruhet se kishte pasur ndërrim fjalësh në mes tij dhe policëve që e kishin mbyllur lokalin.

“Kush k*** je ti që po më maltreton mua, se tash ta thirri komandantin e stacionit dhe ministrin”, thuhet në raportin e Policisë, se iu është drejtuar Gashi njërit prej rreshterëve të policisë.

Tutje Gashi pretendohet se ka vazhduar diskutimin.

“Ti te koke shumë trim, çfarë provokimi po më bënë ti mu. Tash kom me ta thirr ministrinë edhe prej nesër ja unë ja ti në Obiliq se unë i kam marr 7 mijë e 500 vota e ti me më qit mu prej lokalit, a po donë matem masi koke kaq trim”, është thënë në raport se është shprehur Gashi.

Pas kësaj, në raport policor thuhet se vozitësi i tij, i ka dalë para kryetarit për të qetësuar situatën, ndërsa përgjigja e zyrtarit tjetër policor thuhet se ka qenë kjo: “Largohu le të fletë kryetari se po matem, unë i kam 104 kilogram dhe kurrgjë personale nuk kemi me ju, përpos që e kemi zbatuar ligjin”.

Tutje në raport tregohet se pas kësaj ngjarje zyrtarë policorë kanë vlerësuar se nuk ka pasur nevojë të iniciohet ndonjë procedurë penale.

Një ngjarje të tillë e ka konfirmuar edhe komandanti i stacionit policor në Obiliq, Sejdi Zeqiri.

“Është largu nga lokali për shkak se e ka kaluar afatin prej 30 minutave”, kishte thënë Zeqiri për KALLXO.com.

Ai tutje kishte shtuar se nuk di cilat janë rezultatet e kësaj ngjarje pasi nuk është duke e hetuar drejtpërdrejtë këtë ngjarje.