Niko Bllazhde dhe Lejdi Zagalli - Foto: KALLXO.com

Rasti i kishës ortodokse në Podujevë, deklarohen rreth fajësisë dy klerikët fetarë, shtetas të Shqipërisë

Dy klerikët fetarë, shtetas të Shqipërisë, Niko Bllazhde dhe Lejdi Zagalli, të akuzuar për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, nuk e kanë pranuar fajësinë rreth akuzave që rëndojnë ndaj tyre.

Në seancën e shqyrtimit fillestar më 14.10.2024 në Gjykatën e Prishtinës Bllazhde e Zagalli u deklaruan të pafajshëm.

Niko Bllazhde dhe Lejdi Zagalli nga Prokuroria Speciale po akuzohen se më 27.11.2023 kanë hyrë pa autorizim dhe e kishin hapur në mënyrë të dhunshme portën në kishën “Shën Mihaili” në fshatin Rakinicë të komunës së Podujevës.

Qëllimi i thyerjes së kishës, sipas aktakuzës, ishte që kisha të shpallej kishë shqiptare me emrin “Fan Noli”, dhe e njëjta sipas të akuzuarve do t’i përkiste Kishës Ortodokse Kombëtare Shqiptare nga Elbasani.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori special Bekim Kodraliu, të akuzuarit u deklaruan rreth fajësisë.

“Ndihem absolutisht i pafajshëm” – tha i akuzuari Niko Bllazhde.

“Nuk e pranoj (fajësinë sipas akuzës)” – tha, ndërkaq, i akuzuari Lejdi Zagalli.

Pas deklarimit të të pandehurve rreth fajësisë, gjyqtari Kushtrim Shyti i njoftoi palët se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë ankese dhe për kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës së datës 27.05.2024, të pandehurit Niko Bllazhde dhe Lejdi Zagalli akuzohen se më 27.11.2023, së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar, me qëllim të nxitjes së urrejtjes kombëtare, fetare, etnike, pa autorizim kanë hyrë në kishën “Shën Arhangel Mihailo”  në fshatin Rakinicë, komuna e Podujevës, e cila është nën pronësinë dhe mbikëqyrjen e Kishës Ortodokse Serbe.

Tutje, sipas aktakuzës, të pandehurit kanë hapur dhunshëm portën e kishës së lartpërmendur në mënyrë që atë ta shpallin si kishë me emrin “Fan Noli”, e cila sipas të pandehurve do t’i përkiste Kishës Ortodokse Kombëtare Shqiptare, nga Elbasani.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit në bashkëkryerje ngarkohen per veprën penale – nxitje e përçarjes dhe mosdurimit.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri Niko Bllazhde akuzohet se më 30.11.2023, përmes një video-incizimi në rrjetin social “Facebook”, publikisht ka bërë nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve fetare, kombëtare dhe etnike.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Niko Bllazhde bën thirrje duke iu drejtuar kishës ortodokse serbe: “Kisha ortodokse kombëtare shqiptare i bën thirrje kishës serbe dhe Dioqezës së Rashkës dhe Patriarkut Porfirij: Mos guxo t’i afrohesh ortodoksisë shqiptare dhe kishës ortodokse “Fan Noli” në Rakinicë të Podujevës, sepse zjarri i ferrit të pret”, “jeni një kishë dhunuese dhe anti-ligjore”, “jeni një kishë e mallkuar nga kisha jonë ortodokse e vërtetë kombëtare shqiptare”.

Me këtë, ai sipas Prokurorisë kishte për të kryer veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit.