Karaçevë - 18.09.2020 FOTO KALLLXO.com

Rasti i Karaçevës, zgjerohet aksioni në pjesë tjera të Kosovës

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se mëngjesin e sotëm, është zgjeruar operacioni i cili është vazhdimësi e rastit në zonën e Karaçevës që ndodhi më 18 shtator.

Sipas njoftimit, zyrtarët e agjencive të zbatimit të ligjit nga Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe agjencitë e tjera bashkëpunuese, janë duke ekzekutuar urdhër kontrolle në rajone të ndryshme të Kosovës.

“Ky aksion është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 18 Shtator 2020, në zonën e Karaçevës dhe rajone tjera të Kosovës, për shkak të dyshimit të përfshirjes në veprimtari kriminale”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, ka thënë se do të dalin me një njoftim tjetër për operacionin i cili është duke u zhvilluar edhe në këto momente.

KALLXO.com ka raportuar se më 18 shtator një aksion i gjerë ishte zhvilluar në fshatin Karaçevë pak kilometra larg nga pika kufitare e cila lidh Kosovën dhe Serbinë.

Nga aksioni në fshatin Karçevë u arrestuan 33 persona, 12 nga ta zyrtarë policor në lidhje me veprat penale, kontrabandë me mallra si dhe organizim të lojërave të fatit.

Gjithashtu në zonën e njohur si të paprekshme, u rrënuan më shumë se 10 objekte të cilat funksiononin si kazino ilegale.