Rasti i kanosjes ndaj deputetes Deliu-Kodra, dështon të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar
Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve Ergim Qorolli, Blend Mjaku dhe Mirand Terzija për veprën penale kanosje.
Seanca e shqyrtimit fillestar e paraparë të mbahej sot, më 21.08.2024, ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës të akuzuarit, Mirand Terzija.
Në seancë nuk ishte e pranishme as e dëmtuara deputetja Blerta Deliu – Kodra.
Gjyqtari Sabit Sadikaj bëri të ditur se ndaj të akuzuarit Terzija gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikim adrese dhe dorëzim të ftesës, mirëpo ajo nuk është realizuar.
Me këtë rast, ai tha se ndaj këtij të akuzuari do të lëshohet urdhërese për sjellje me detyrim.
Ky rast po trajtohet në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ndërsa prokuror i kësaj çështje është Ali Ajdini.
E dëmtuara deputetja Blerta Deliu- Kodra, në deklaratën e saj të dhënë në Polici, por edhe në Prokurori, ka theksuar se ajo dhe familja e saj e kanë ndjerë vetën të kanosur dhe një kohë të gjatë nuk kishte mundur që ta qetësoj vet vetën si pasojë e së cilës edhe kishte pasur shqetësime shëndetësore.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë? Bazuar në dosjen e prokurorisë, të pandehurit Ergim Qorolli, Blend Mjaku dhe Mirand Terzija po akuzohen se më 19.11.21, pas një seance të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me dashje dhe seriozisht e kanë kanosur deputeten e Republikës së Kosovës, Blerta Deliu-Kodra.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit e kishin bërë këtë përmes rrjetit social “Facebook”, ashtu që i pandehuri Engini Qorolli i ishte drejtuar me fjalët: “gjakin bre ta q…, robt bre ti q…, krejt ata të gjall e ata më të afërmit ti q…, bre k***ën e nanës ta q…, zoti shpirtin ta marrt qysh o mas keqi bre k***en e serbis ta q…”.
Ndërsa i pandehuri Blend Mjaku, sipas aktakuzës thuhet se ishte drejtuar me fjalët: “krejt sha ki ti q…, dekmit ti kisha q.., edhe ti q., kisha pre për zgjalli tkisha gri”. Kurse i akuzuari Terzija ishte drejtuar me fjalët: “krejt robt ti q… ha, qysh UQK terroristë ti q… gjakin e nanës ta q…k***en e dreqit, ta q… shkinën e nanës ho oj shkin ti q… tdekmit n loqk”, me çka tek e dëmtuara, deputetja Deliu-Kodra është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetë.
Me këto veprime Qorolli, Mjaku dhe Terzija po akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Kanosje” .