Rasti i 400 kilogramëve të kokainës, shenjëstrohet për liberalizimin e vizave

Në mesin e tre rasteve të shenjëstruara nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) është edhe rasti i koduar si “Adriatiku, e që ka të bëjë me kapjen e 400 kilogramëve të drogës së llojit kokainë ditë më parë në Lipjan. Për këtë rast, janë të akuzuar 7 persona, të cilët janë ndaluar më 17 maj 2021, si të dyshuar se kanë dorë në aferën më të madhe të shënuar ndonjëherë për nga sasia e narkotikëve të kapura në Kosovë, pasi nga Policia e Kosovës u sekuestruan 400 kilogram kokainë të fshehura brenda produkteve të mishit në një kamion që vinte nga Brazili.

Shenjëstrimi i këtij rasti, nënkupton se rrjedha e tij do të ketë impakt direkt edhe në përfitimin e të drejtës së qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm – pa viza, në shtetet e zonës shengen. Kjo pasi, mosliberalizimi i deritashëm i qarkullimit të kosovarëve, mbetet në fuqi, në radhë të parë, si pasojë e mosluftimit të korrupsionit e krimit të organizuar, e përsëritur kjo shpesh nga përfaqësuesit e shteteve të bllokut evropian.

Veçimi i këtij, dhe dy rasteve tjera “Eufond”, “Thesari”, është bërë në takimin e ekipit të përbashkët për përzgjedhjen dhe shenjëstrimin e krimeve të rënda, takim ky i kryesuar nga kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj.

Sipas Prokurorisë, personat e lidhur rreth kësaj afere, dyshohet se kanë kryer veprat penale pjesëmarrje dhe organizim i grupit kriminal, me veprën penale posedimi i paautorizuar i narkotikëve dhe në drejtim të veprës penale armëmbajtje pa leje.

Shtatë të arrestuarit po dyshohen se kanë qenë pjesë e grupit që transportoi drogë në vlerë të rreth 20 milionë eurove të llojit kokainë në Kosovë.

Policia e Kosovës pati treguar edhe se aksioni për identifikimin e rrjetit për transportin e drogës brenda Kosovës do të vazhdojë, ndërsa janë konfiskuar edhe një mori provash të cilat do të përdoren gjatë procedurës së mëtejme ligjore.

Një sasi prej 400 kilogram kokainë më 17 maj ka hyrë përmes pikës kufitare në Vërmicë nga Shqipëria për në Kosovë.

Droga ishte e fshehur brenda një kamioni me sasi mishi, dhe ishte ndalur në hyrje të komunës së Lipjanit e ku më pas kishin ndërhyrë edhe ekipet policore.

Për kapjen e 400 kilogramëve kokainë ishin përdorur edhe masat e fshehta, ndërsa sasia sipas të dhënave zyrtare është nisur nga Brazili për në Itali, e më pas ishte ndaluar në portin e Durrësit dhe ishte nisur drejt Kosovës.

Në hetimin e rastit të kokainës kanë bashkëpunuar ngushtë Policia e Italisë, ajo e Shqipërisë, Policia e Kosovës, Prokuroria Speciale në Kosovë, Sektori i Posaçëm i hetimit të Krimit dhe Korrupsionit në Shqipëri.

Pas aksionit për konfiskimin e drogës së llojit kokainë, të gjithë institucionet e lartpërmendura kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë shpalosur detaje të organizimit të hetimit dhe sekuestrimit të narkotikëve.

Ndërsa më 17 maj 2021, Prokuroria Speciale e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se kanë bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj këtyre 7 personave.

“Thesari” dhe “Adriatiku”, dy nga tre rastet e shënjestruara nga Prokuroria Speciale