Arkiv - Seanca në rastin "Gylenistët"

Rasti ‘gylenistët’, prokurorja: Video-incizimet të përdoren si prova, vërtetojnë deportimin e shtetasve turq

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi ndaj ish-shefit të AKI-së, Driton Gashi, drejtorit të Departamentit të Shtetësisë dhe Azilit, Valon Krasniqi, dhe drejtorit të Migracionit, Rrahman Syljemani, për rastin e deportimit të “gylenistëve”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të tre zyrtarët akuzohen se keqpërdorën pozitën apo autoritetin zyrtar dhe privuan kundërligjshëm nga liria gjashtë shtetasit turq në vitin 2018.

Ne seancë sot u paraqitën për administrim provat nga ana e prokurorisë si dhe nga përfaqësuesit e palës së dëmtuar.

Prokurorja e prokurorisë speciale, Habibe Salihu ka propozuar para gjykatës  që si prova materiale për administrim ndër të tjera të jenë edhe disa video-incizime (CD) , të cilat vërtetojnë ngjarjen.

“CD-të e vërtetojnë ditën kritike si dhe personat që kanë marrë pjesë në deportim…”- tha para gjykatës Salihu.

Kurse përfaqësuesi i palës së dëmtuar në këtë rast, Urim Vokshi propozoi për administrim raportin e hetimit të Komisionit hetimor parlamentar të Kuvendit të Kosovës.

“Përmes parashtresës të dorëzuar sot, kemi specifikuar provat të cilat kërkojnë që të sigurohen nga Kuvendi i Kosovës e të cilat kanë qenë në shqyrtim të hetimit të Komisionit Parlamentar”- ishte propozimi i Vokshit.

Mbrojta e të akuzuarve paraqitën kundërshtimet e tyre për mos administrim të provave të paraqitura si nga ana e  prokurorisë  si dhe nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar me arsyetimin se të njëjtat prova nuk arrijnë që të provojnë asnjë element të veprave penale ndaj të akuzuarve.

Në fund gjykata aprovoi propozimin e mbrojtësit Urim Vokshi që si provë të administrohet raporti i hetimit të Komisionit Paarlamentar si dhe në lidhje me CD-të, gjykata do t’i shqyrtojë jashtë seance dhe do të vendosë më vonë për to.

“Sa i përket provave materiale të propozuara nga mbrojtësi në formë të CD-ve të njëjtat prova gjykata do t’i shqyrtojë jashtë seance dhe do te vendos më vonë”- tha në vendimin e saj kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani.

Seanca e radhës në lidhje me këtë rast do të mbahet me 20 dhjetor të këtij viti.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të tre zyrtarët akuzohen se keqpërdorën pozitën apo autoritetin zyrtar dhe privuan kundërligjshëm nga liria gjashtë shtetasit turq në vitin 2018.

Sipas aktakuzës, në mëngjesin e 29 marsit të 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjen e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Për këtë, operacioni i AKI-së sipas ekspertit amerikan, kishte ‘pushtuar’ zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Madje për këtë rast ishte raportuar edhe nga një grup punues i OKB-së, të cilët deportimin e shtetasve turq e kishin konsideruar me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.