FOTO: LVV facebook

Rasti ‘Dehari’, shkarkohet kryeinspektori Ylber Topalli

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se është shkarkuar kryeinspektori i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli.

Sipas njoftimit të MD-së, Topalli është shkarkuar nën dyshimin për shkelje të rënda procedurale në rastin e ndërlidhur me zhvillimet pas vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Ylber Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtësisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bart detyra e tij, veprime të cilat kanë kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit”- thuhet në njoftimin e MD-së.

Po shtu, sipas MD, Topalli ka hartuar dy raporte kontradiktore lidhur me rastin:

“Në njërin raport, disa ditë pas vrasjes së Astrit Dehari, kryeinspektori Topalli e ka quajtur rastin e Astritit vetëvrasje. Disa ditë më vonë, të njëjtin raport ai e mohon që është i tij edhe pse e ka vendosur nënshkrimin e tij në këtë raport”- thuhet tutje në njoftim.

Topalli ishte pezulluar nga puna në shtator të vitit të kaluar.

Më 5 nëntor do të bëhen 7 vite nga vdekja e mistershme e aktivitetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Më 5 nëntor të vitit 2016, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.

Ajo që i kishte rritur edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishte ekspertiza e vitit 2019 e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.

Për të shuar mëdyshje të tjera në këtë rast ishte urdhëruar edhe një ekspertizë e re.

Në lidhje më këtë ekspertizë, PSRK me anë të një njoftimi dha shkurtimisht detaje për konstatimet e ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.

“Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Përpos ADN-së, prokuroria njoftoi opinionin se në analizat toksikologjike nuk ka prani të etanolit.

“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mosprani të etanolit” – thuhej tutje në njoftim.

Ndërsa më 8 dhjetor, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se janë zhdukur provat për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Haxhiu: Janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore – VIDEO

 

Rasti Dehari, pezullohet nga puna kryeinspektori Ylber Topalli