Rasti Dehari, shfuqizohet vendimi i Ministrisë së Drejtësisë për kryeinspektorin Ylber Topalli

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka marrë vendim për ish – kryeinspektorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ylber Topalli, i cili ishte shkarkuar nga vendi i punës në mars të këtij viti.

Vendimi i KPMSHC e obligon Ministrinë e Drejtësisë që të njëjtin ta kthejë në vendin e punës brenda 15 ditësh.

Sipas vendimit të Këshillit në fjalë, MD – ja obligohet që Topallit t`i bëhet kompensimi i pagave të ndaluara deri më tani.

Sipas MD, Topalli kishte hartuar dy raporte kontradiktore lidhur me rastin e Astrit Deharit, i cili vdiq në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Rasti ‘Dehari’, shkarkohet kryeinspektori Ylber Topalli

“Në njërin raport, disa ditë pas vrasjes së Astrit Dehari, kryeinspektori Topalli e ka quajtur rastin e Astritit vetëvrasje. Disa ditë më vonë, të njëjtin raport ai e mohon që është i tij edhe pse e ka vendosur nënshkrimin e tij në këtë raport”- thuhej në njoftimin e MD-së atë kohë.

Topalli fillimisht ishte pezulluar, e më pas ishte shkarkuar nga pozita e punës për shkak të ekzistimit të dyshimeve për shkelje të rënda procedurale ndërlidhur me zhvillimet pas vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Topalli me përfaqësuesin e tij, avokatin Faton Fetahu, kishin parashtruar ankesë në Komisionin Disiplinor të Ministrisë së Drejtësisë në prill të këtij viti.

Këshilli Mbikëqyrës i Pavarur ka aprovuar ankesën e tillë me vendimin e datës 29 maj të këtij viti.

Në arsyetimin e vendimit shfuqizues të Këshillit, në shtator të vitit 2022 me kërkesën e ministres Haxhiu, sekretari i MD-së kishte kërkuar inicimin e procedurës disiplinore ndaj të njëjtit, shkak i disa shkeljeve disiplinore të gjetura në një raport zyrtar, raport ky, i përpiluar nga kolegët e tij, inspektorët  M. B., Z. S. dhe J. K.

Kurse me vendimin e fundit, Këshilli ka konstatuar se këta inspektorë me përpilimin e atij raport kanë tejkaluar autorizimet dhe mandatin e tyre ligjor.

Shtysë tjetër për marrjen e vendimit të tillë, është fakti se Komisioni Disiplinor ka mbajtur seancë në mars të këtij viti me  ç’rast është nxjerrë akti sipas të cilit Topalli është shpallur përgjegjës për shkeljet, mirëpo në këtë seancë nuk janë ftuar dhe nuk kanë qenë prezentë palët e procedurës.

Tutje, në vendim thuhet se Komisioni Disiplinor ka dështuar të bënte shqyrtim dhe analizë të një raporti të Komisionit Hetimor, por ia ka falur besimin raportit të tillë i cili i ka tejkaluar autorizimet ligjore, duke rënë ndesh me Ligjin për Zyrtarët Publik.