FOTO: LVV facebook
Rasti Dehari, pezullohet nga puna kryeinspektori Ylber Topalli
Ylber Topalli është pezulluar nga puna e kryeinspektoratit të Inspektoratit lidhur me rastin e Astrit Deharit që vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Flamur Pireva, këshilltar politik në Ministrinë e Drejtësisë.
Sipas Pirevës, pezullimi i Komisionit Disiplinor ka ardhur mbi bazën e gjetjeve në Raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë.
“Procedura disiplinore ndaj z. Topalli është iniciuar për pretendimet e shkeljeve të rënda procedurale që janë të ndërlidhura me rastin e ngjarjes së Astrit Dehari, që kishte ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016. Me këtë rast, pas konstatimit të gjetjeve të Raportit të cilat i kemi proceduar edhe në Prokurori të Shtetit, bëjmë thirrje dhe theksojmë nevojën e vazhdimit të procedurave hetimore për trajtimin e mëtutjeshëm të të gjitha rrethanave deri në zbardhjen përfundimtare të këtij rasti” – ka thënë Pireva.
KALLXO.com ka kontaktuar me Ylber Topallin, i cili tha se nuk ka pranuar asnjë vendim dhe se tash u njoftua për këtë çështje.
“Unë jam në pushim mjekësor që nga e hëna, nuk e kam asnjë vendim, as kurrfarë informacion, prej juve po dëgjoj. Në Ministrinë e Drejtësisë gjithçka mirë është, veç rregull dhe program nuk ka. Kam me e kërku vendimin, kur ta kem prononcohem më tutje” – u shpreh Topalli.
Ditë më parë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media përmendi shkeljet e gjetura nga Inspektorati në rastin e Astrit Deharit.
Ajo tha se ka kërkuar inspektim nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, për të sqaruar zbatimin e procedurave brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës lidhur me rastin e Astrit Deharit.
Ndërkaq, shtoi se shkelja tjetër sipas raportit të Inspektoratit është se kryeinspektori në vitin 2016, lidhur me rastin në fjalë ka nxjerrë dy raporte kontradiktore, njëri më 14 nëntor 2016 dhe tjetri më 21 nëntor 2016.
Ministrja Haxhiu tha se kryeinspektori ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore duke e cilësuar rastin si vetëvrasje në raportin e parë dhe si rast të vdekjes në raportin e dytë.
“Këto dy raporte janë të nënshkruara nga kryeinspektori Ylber Topalli, ku raportin e datës 14, ky i fundit e mohon që është i shkruar nga ai dhe rrjedhimisht e konteston si të tillë” – tha Haxhiu.
Ajo që i kishte rritur edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishte ekspertiza e vitit 2019 e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.
Që nga ajo kohë hetimi në rastin Dehari kishte marrë një kahje tjetër, pasi rasti kaloi në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Për të shuar mëdyshje të tjera në këtë rast ishte urdhëruar edhe një ekspertizë e re.
Në lidhje më këtë ekspertizë, PSRK me anë të një njoftimi dha shkurtimisht detaje për konstatimet e ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.
Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.
“Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Përpos ADN-së, prokuroria njoftoi opinionin se në analizat toksikologjike nuk ka prani të etanolit.
“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mosprani të etanolit” – thuhej tutje në njoftim.