Rasti 'Brezovica', prokuroria me aksion për identifikimin e objekteve ilegale

 

Prokuroria e Ferizajt mëngjesin e sotëm ka nisur një aksion për regjistrimin e vikend-shtëpizave në Brezovicë. Ky aksion është vazhdimësi e ‘aksioneve tjera në ‘Rastin Brezovica”.

Prokuroria e Ferizajt ka njoftuar se në koordinim me drejtorinë e Krimeve të Rënda dhe Institucione të tjera përgjegjëse, operacioni për identifikimin dhe regjistrimin e vikend-shtëpizave në zonën e Brezovicës është duke vazhduar.

Ky regjistrim sipas Prokurorisë është duke u bërë në mënyrë që të identifikohen objektet e ndërtuara në zonën e Brezovicës dhe se a posedojnë leje ndërtimore dhe a janë në pajtim më ligjin.

Sipas njoftimit të Prokurorisë të pranishëm në këtë operacion është edhe Inspektorati Qendror i Pylltarisë.

“Në operacionin e sotëm të pranishëm janë edhe Inspektorati Qendror i Pylltarisë për shkak të dëmtimit të madh të pyllit në Parkun Kombëtar “Sharri” në zonën e Brezovicës” – thuhet në komunikatë.

Në lidhje me rastin e njohur për publikun si “Brezovica” tashmë janë zhvilluar disa aksione nga ana e policisë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Aksion i ngjashëm u bë edhe gjatë ditës së djeshme dhe më 4 gusht.

Në rastin Brezovica janë arrestuar dhjetëra persona, kryetarë të komunave, drejtorë të drejtorive, ish-sekretarë të ministrive, biznesmenë e qytetarë të ndryshëm.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për arrestimet që janë bërë në këtë rast dhe të gjitha artikujt mund t’i lexoni KËTU.