Rasti Brezovica - Lirohet nga paraburgimi asamblisti i VV-së, Berat Lahu

Asamblisti në Komunën e Prishtinës, i suspenduar tashmë nga Lëvizja Vetëvendosje, Berat Lahu është liruar nga paraburgimi pas dy muaj qëndrim në këtë masë në lidhje me rastin e njohur për publikun si “Brezovica”.

I dyshuari për veprat penale pranim i paarsyeshëm i dhuratave dhe ushtrimi i ndikimit, Lahu ishte arrestuar në shtator dhe qëndroi në masën e paraburgimit për rreth dy muaj.

Ai është liruar sot nga kjo masë, ka konfirmuar për KALLXO.com avokati i të njëjtit, Valdrin Behrami.

“Tash vetëm se ka dalë nga qendra e paraburgimit”- tha për KALLXO.com avokati i tij, Valdrin Behrami deri sa shton se kanë dorëzuar një mori shkresash për Lahun për t’ia ndryshuar masën e sigurisë.

“Ne në vazhdimësi, kemi deponuar shkresa të ndryshme që kanë tregu gjendjen shëndetësore të Beratit dhe gruas së tij dhe Berati e ka të domosdoshme në baza periodike një tretman mjekësor. Mbi këto janë deponuar të gjitha shkresat dhe janë deponuar edhe në Gjykatën në Ferizajt edhe Pejës” – shtoi tutje Behrami.

Ai konfirmoi se propozimin për masën e sigurisë e ka bërë prokuroria.

“Propozimin për ndërrim të masës edhe në Prokurori dhe pas krejt këtyre shkresave që i kemi prezentu, prokuroria ka bërë kërkesë për ndërrim të masës së paraburgimit” – tha Behrami për KALLXO.com.

I njëjti kritikoi qasjen e prokurorisë për personat të cilët dyshohen për të njëjtat vepra me Lahun në rastin “Brezovca”.

Sipas tij, masa ndaj klientit të tij ishte më e rënda se e të pandehurve të tjerë në këtë rast.

“Edhe të bashkëpandehurit e tjerë që kanë qenë bashkë me Beratin, i njëjti është, prej 15 shtator deri tash me 15 nëntor pra dy muaj në paraburgim, e të tjerëve që kanë qenë me të njëjtin status dhe të njëjtën kualifikim të veprës penale, atyre nuk u është caktu paraburgimi por masa e ndalimit për me ju ofru vendit apo personave të caktuara” – tha tutje avokati Behrami.

Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit që e ka siguruar KALLXO.com përshkruhen veprimet e të pandehurve dhe dyshimet që rëndojnë mbi ta e edhe për Lahun i cili është liruar sot nga paraburgimi.

Berat Lahu, asamblist i Vetëvendosjes në komunën e Prishtinës, dyshohet për dy vepra penale, “Pranimi i paarsyeshëm i dhuratave” dhe  “Ushtrimi i ndikimit”.

Sipas dosjes së prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2018, në Shtërpcë, si punëtor i ndërmarrjes “KEDS” në Prishtinë, gjatë kryerjes së veprimtarisë ekonomike, Lahu ka kërkuar dhe pranuar dhuratë nga shfrytëzuesit e këtyre shërbimeve në atë mënyrë që për të kryer shërbimin e zhvendosjes së tensionit të mjetit elektrik në vikend-zonën e Brezovicës, për NN, si ndërmarrje ndërtimore e objekteve hoteliere dhe vikend-shtëpive, ka kërkuar dhe pranuar dhuratë një pronë të paluajtshme – sipërfaqe rreth 350m2, në vlerë rreth 20,000€ euro, nga NN, të cilën pronë e ka regjistruar në emër të djalit të vëllait”.

Tutje në kërkesën e Prokurorisë thuhet se “Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2016, si drejtor i ndërmarrjes KEDS, filiali në Ferizaj, ka kërkuar dhe pranuar dhuratë me qëllim që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që ka pranuar dhuratë nga NN një parcelë me sipërfaqe prej 350 m2 në vlerë rreth 20,000€ (njëzet mijë euro), me premtim se do të ndikojë tek personat përgjegjës të ndërmarrjes KEDS në Prishtinë të cilët ishin duke realizuar një projekt për renovimin e rrjetit elektrik në rrugën rajonale Shtërpcë-Sharr, të cilin me kërkesën e ndërmarrjes ndërtimore NN që ishte duke kryer ndërtimet e objekteve hoteliere dhe vikend-shtëpizave, ka zhvendosur rrjetin elektrik të tensionit të lartë, me qëllim që t`i mundësohet ndërtimi i objekteve ndërmarrjes ndërtimore, edhe pse kjo zhvendosje duhet të kryhej në pajtim me projektin investiv të ndërmarrjes KEDS në Prishtinë, kurse nga investitori i vikend shtëpizave NN në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, ka kërkuar 60,000 (gjashtëdhjetë mijë) euro për ta kyçur në trafon elektrike të KEDS-it”- thuhet në dosjen e Prokurorisë që rëndon ndaj të dyshuarit Lahu.

Javën e kaluar, me vendim të gjykatës janë sekuestruar mbi 75 villa në Brezovicë.

Këtu mund t’i gjeni të gjitha raportimet për rastin “Brezovica”.

Lista e plotë me emrat e pronarëve të 75 vilave të sekuestruara në Brezovicë