(Foto nga një seancë e mëhershme) Dëshmitari bashkëpunues, Alban Çuka - Foto: KALLXO.com

Rasti “Brezovica”, dëshmitari bashkëpunues i Prokurorisë u përgjigjet pyetjeve të avokatit të të akuzuarit Bratisllav Nikoliq

Seanca për rastin “Brezovica” në Gjykatën e Pejës më 10.01.2025 ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit bashkëpunues të Prokurorisë, Alban Çuka.

Në seancën e datës 06.11.2024 me të filluar dëgjimi i dëshmitarit, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kukaj-Mekaj, kishte njoftuar mediat se dëshmia e dëshmitarit nuk mund të bëhet publike deri në përfundim të dëgjimit edhe të dëshmitarëve të tjerë.

Në këtë seancë Çuka ka vazhduar të japë dëshminë e tij duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Artan Çerkini, i cili mbron të akuzuarin Bratisllav Nikoliq.

Arsyeja pse u mor vendimi për të mos e bërë publike dëshminë e këtij dëshmitari sipas gjyqtares ishte për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit të deklarimit të dëshmitarit dhe për të mos pasur ndikim te dëshmitarët e tjerë që pritet të dëshmojnë në këtë rast.

Çuka është dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë.

Në lidhje me rastin “Brezovica”, Prokuroria e Ferizajt pretendon se janë keqpërdorur pozitat, ka pasur ushtrim ndikimi, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në zonën e Brezovicës.

Lidhur me këtë këtë rast të akuzuar janë Bratisllav Nikoliq, Dimitrije Raçiçeviq, Dragomir Millosavleviq, Hysni Bajrami, Sasha Millosavleviq, Arben Çitaku, Bedri Halimi, Husein Ajdini, Sasha Spasiq dhe Jardan Kostiq.

Dëshminë e tij dëshmitari Alban Çuka e kishte filluar më 06.11.2024.I njëjti dëshminë e tij e kishte vazhduar më 08.01.2025 dhe më 09.01.2025.

Në seancën e datës 08.01.2025 kryetarja e trupit gjykues Kuka-Mekaj kishte vendosur për kërkesën e të akuzuarit Bedri Halimi, duke aprovuar që procedura ndaj tij të veçohet.

Po ashtu në këtë seancë ishte aprovuar edhe propozimi i mbrojtësit të të akuzuarit Husein Ajdini, avokatit Shkelzen Sopjani, që ndaj tij të vazhdohet gjykimi në mungesë.

Më 04.11.2024 dhe 05.11.2024 prokurori, avokatët dhe të akuzuarit kanë dhënë fjalën hyrëse lidhur me këtë rast.

Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, nga 21 janari 2016 e deri më 10 shtator 2018 ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe i ka mundësuar një investitori marrjen e lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 200 mijë euro për 19 leje ndërtimore, për një shtëpi vikendi dhe një pëlqim rrugor dhe 100 mijë euro për lejen ndërtimore për objektin e hotelerisë “Rimida”.

Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës akuzohet edhe në disa dispozitivë të tjerë të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në pikën dytë të aktakuzës i njëjti akuzohet se nga 30 janari i vitit 2015 e deri më 27 maj 2019 përsëri sipas Prokurorisë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të pasurisë për vete duke i mundësuar një personi tjetër përfitimin e lejes ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 140 mijë euro për 14 leje ndërtimore dhe për shtëpi vikendi.

60 mijë euro të tjera akuzohet nga Prokuroria se i ka marrë ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës për lëshimin e 5 lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për ndërtimin e shtëpive të vikendit. Këto objekte ishin ndërtuar në zonën e tretë të mbrojtur të Parkut “Sharri”.

Në pikën katër të aktakuzës thuhet se nga 23 nëntor 2018 deri më 6 gusht 2019 ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës kishte marrë 40 mijë euro për lëshimin e 6 lejeve ndërtimore për shtëpi vikendi.

Aktakuza kësisoj vazhdon për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës edhe në pikën 5, 6, 7, 8, 9.

Në po këtë aktakuzë Bratisllav Nikoliq akuzohet edhe për marrje ryshfeti e ushtrim ndikimi.

Në këtë aktakuzë të përfshirë janë edhe Dimitrije Raçiçeviq – si drejtor i Urbanizimit, inspektorët komunalë të ndërtimit Hysni Bajrami dhe Dragomir Millosavleviq dhe Arben  Çitaku si ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Mustafë Hyseni si shef i Departamentit për Mbrojte dhe Mjedis të Ujërave, Husen Ajdini si investitor, Raif Bajrami si shef i Inspeksionit të Shtërpcës dhe të akuzuarit Sasha Spasiq, Bedri Halimi i akuzuar në cilësinë e kryeinspektorit, Sasha Millosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrës.

Të lartcekurit akuzohen për vepra penale si marrje ryshfeti, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe për vepra si armëmbajtje pa leje.

Më 17.09.2023 prokurori që po përfaqëson këtë rast, Rasim Maloku, kishte ndarë detaje ekskluzive për KALLXO.com lidhur me hetimin e këtij rasti.