Foto: KALLXO.com
Rasti “Brezovica” - Çfarë vendimi mori kryetarja e trupit gjykues për dëshmitarin bashkëpunues të Prokurorisë?
Gjykimi ndaj grupit të të akuzuarve të rastit “Brezovica” ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit bashkëpunues të Prokurorisë, Alban Çuka.
Në këtë rast të akuzuar janë Bratisllav Nikoliq, Dimitrije Raçiçeviq, Dragomir Millosavleviq, Hysni Bajrami, Sasha Millosavleviq, Arben Çitaku, Bedri Halimi, Husein Ajdini, Sasha Spasiq dhe Jardan Kostiq.
Në lidhje me rastin “Brezovica” Prokuroria e Ferizajt pretendon se janë keqpërdorur pozitat, ka pasur ushtrim ndikimi, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në zonën e Brezovicës.
Gjykimi ndaj të akuzuarve të këtij rasti po zhvillohet në Gjykatën e Pejës.
Më të filluar dëgjimi i dëshmitarit, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kukaj- Mekaj, njoftoi mediat, monitoruesit dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile se dëshmia e dëshmitarit nuk mund të bëhet publike deri në përfundim të dëgjimit edhe të dëshmitarëve të tjerë.
Arsyeja pse u mor ky vendim sipas gjyqtares është për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit të deklarimit të dëshmitarit dhe për të mos pasur ndikim te dëshmitarët e tjerë që pritet të dëshmojnë në këtë rast.
Çuka është dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë.
Gjatë seancës së datës 06.11.2024, dëshmitari iu përgjigj pyetjeve të Prokurororisë.
Më 04.11.2024 dhe 05.11.2024 prokurori, avokatët dhe të akuzuarit kanë dhënë fjalën hyrëse lidhur me këtë rast.
Të akuzuarit në këtë rast Mustafë Hysenit i është aprovuar marrëveshja për pranim fajësie më 04.11.2024 dhe i njëjti është shpallur dëshmitar bashkëpunues për raste të tjera.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq nga 21 janari 2016 e deri më 10 shtator 2018 ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe i ka mundësuar një investitori marrjen e lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 200 mijë euro për 19 leje ndërtimore, për një shtëpi vikendi dhe një pëlqim rrugor dhe 100 miijë euro për lejen ndërtimore për objektin e hotelerisë “Rimida”.
Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës akuzohet edhe në disa dispozitiva të tjerë të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në pikën dytë të aktakuzës i njëjti akuzohet se nga 30 janari i vitit 2015 e deri më 27 maj 2019 përsëri sipas Prokurorisë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të pasurisë për vete duke i mundësuar një personi tjetër përfitimin e lejes ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 140 mijë euro për 14 leje ndërtimore dhe për shtëpi vikendi.
60 mijë euro të tjera akuzohet nga Prokuroria se i ka marrë ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës për lëshimin e 5 lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për ndërtmin e shtëpive të vikendit. Këto objekte ishin ndërtuar në zonën e tretë të mbrojtur të Parkut “Sharri”.
Në pikën katër të aktakuzës thuhet se nga 23 nëntor 2018 deri më 6 gusht 2019 ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës kishte marrë 40 mijë euro për lëshimin e 6 lejeve ndërtimore për shtëpi vikendi.
Aktakuza kësisoj vazhdon për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës edhe në pikën 5, 6, 7, 8, 9.
Në po këtë aktakuzë Bratisllav Nikoliq akuzohet edhe për marrje ryshfeti e ushtrim ndikimi.
Në këtë aktakuzë të përfshirë janë edhe Dimitrije Reqiçeviq – si drejtor i Urbanizimit, inspektorët komunalë të ndërtimit Hysni Bajrami dhe Dragomir Millosavleviq dhe Arben Çitaku si ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Mustafë Hyseni si shef i Departamentit për Mbrojte dhe Mjedis të Ujërave, Husen Ajdini si investitor, Raif Bajrami si shef i Inspeksionit të Shtërpcës dhe të akuzuarit Sasha Spasiq, Bedri Halimi i akuzuar në cilësinë e kryeinspektorit, Sasha Millosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrës.
Të lartcekurit akuzohen për vepra penale si marrje ryshfeti, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe për vepra si armëmbajtje pa leje.
Më 17.09.2023 prokurori që po përfaqëson këtë rast, Rasim Maloku, kishte ndarë detaje ekskluzive për KALLXO.com lidhur me hetimin e këtij rasti.