Rasti ‘Brezovica’, bastistet objekti i strukturave paralele në Shtërpcë

Policia e Kosovës, në kuadër të rastit ‘Brezovica’, ka vazhduar bastisjen në objektin e strukturave paralele në Shtërpcë.

Në vendin e ngjarjes është edhe prokurori i Krimeve të Rënda në Ferizaj, Rasim Maloku.

Prokuroria e Shtetit është duke vazhduar aksonin ‘Brezovica’ për të katërtën herë me radhë, ku sot ka bastisur 7 lokacione në rrethinën e Shtërpcës.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka vendosur pika të shtuara të kontrollit rrugës për Shtërpcë, ndërsa KALLXO.com iu sjell pamje nga vendi i ngjarjes.

Pamje – Specialët bllokojnë Shtërpcën, arrestime për rastin ‘Brezovica’

Më 21 dhjetor, në pjesën e parë të aksionit të njohur si “Brezovica”, janë arrestuar 10 persona ndër ta edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Nikoliq po dyshohet se në cilësinë e Kryetarit të Shtërpcës nga viti 2014 deri në vitin 2018 ka pranuar ryshfet – para dhe dhurata me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në vikend zonën e Brezovicës.

Prokuroria po pretendon se ish-kryeari Nikoliq ka pranuar 210 mijë euro ryshfet për dhënien e 21 lejeve ndërtimore të vikend shtëpizave për investitorin “Stella Consullting”, si dhe 200 mijë euro të tjera për lejen ndërtimore të objektit hotelier “Stella Consullting”. Me këto veprime Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprat penale “marrja e ryshfetit”, “keqpërdorimi i detyrës”.

Po ashtu, Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, duke ndikuar në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore.

Më 6 janar, në disa lokacione të vendit Prokuroria e Ferizajt në bashkëpunim me organet e tjera të zbatimit të ligjit, zhvilluan një operacion i cili rezultoi me arrestimin e katër personave, bllokimin e afër 6 milionë eurove dhe konfiskim të një veture, armëve dhe dokumenteve.

Është duke vazhduar aksioni i njohur si “Brezovica”, për të tretën herë me radhë, nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e Brezovicës.

Ndërsa më 3 mars, janë bastisur 12 lokacione në katër qytete të Kosovës, në Ferizaj 5 lokacione, 1 në Lipjan, 1 në Skenderaj dhe 5 të tjera në Prishtinë.