Foto: Ilustrim

Rasti “Brezovica”, arrestohet edhe biznesmeni Bajram Gashani

Në lidhje me hetimet për rastin “Brezovica”, Policia e Kosovës të mërkurën rreth orës 15:00 ka arrestuar Bajram Gashanin, pronar i një biznesi të madh.

Lajmin për ndalimin e Gashanit e ka konfirmuar Rasim Maloku, prokurori i rastit “Brezovica”.

I kontaktuar nga KALLXO.com, prokurori Maloku vetëm e ka konfirmuar arrestimin e biznesmenit.

Dosja “Brezovica” deri më tani ka dërguar prapa grilave mbi 30 persona, përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, përgjegjës për ndërtimin e mbi 500 vilave dhe hoteleve në zonën e mbrojtur të maleve të Sharrit.

Dosja ngre dyshime për një aferë ku besohet të jenë kërkuar mbi 20 milionë euro ryshfet nga zyrtarë e kompani të ndryshme të ndërtimit.

Deri më tani Prokuroria ka bllokuar prona në vlerë mbi 5 milionë euro, të cilat po mbahen të sekuestruara për llogari të këtij hetimi.

Operacioni i fundit lidhur me këtë rast është zhvilluar më 21 shtator, kur janë kryer bastisje në 11 lokacione, kryesisht në lagje të Prishtinës.

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 7 të dyshuar, janë sekuestruar prova të ndryshme, përfshirë armë dhe vetura.