Rasti Banjska: Aktakuzë për 45 persona
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar se kanë ngritur aktakuzë për 45 persona për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
“Pas grumbullimit të hetimit dhe analizave të të gjitha provove, kemi ngritur sot aktakuzë kundër 45 të pandehurve që ekziston dyshimi se kanë kryer vepra penale të terrorizimit…” – tha Isufaj.
“Në baza të ndryshme hetimore kemi qenë të kufizuar në dhënien e informacioneve, na është dashur të presim gjatë ndoshta edhe një vit. Pranimi i raporteve të ekzaminimeve është një nga shkaqet kryesore për vonim të ngritjes së aktakuzës” – tha Isufaj.
Në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radojiçiq, i cili e kishte pranuar publikisht përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë, disa ditë pas rastit.
Prokurori i çështjes, Naim Abazi tha se kanë analizuar mbi 120 pajisje elektronike deri sa kanë ngritur aktakuzën.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike, kemi siguruar me qindra dokumente për këtë rast. Përkushtimi ynë për ta ndriçuar këtë rast ka qenë shtytësi kryesor. Aktakuza përfshin 45 persona me role të ndryshme. Ndër të akuzuarit kryesor është edhe Millan Milan Radojiçiq” – tha prokurori i rastit, Naim Abazi.
“Në kuadër të hetimeve kemi bërë 10 kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar” – tha mes tjerash prokurori Abazi.
Ai ka falënderuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës që janë angazhuar në hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes, e që sipas tij kanë punuar mbi 40 mijë orë për zbulimin e rastit.