Foto: KALLXO.com

Rasti “Abi Çarshia”, i akuzuari Thaçi: Pavarësisht aplikimit për legalizim, ndërtimi i kundërligjshëm paraqet vepër penale

Ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Islam Thaçi, në gjykimin e tij në lidhje me rrënimin e aneksit të kompleksit “Abi Çarshia”,  në ditën e dytë të dhënies së dëshmisë u është përgjigjur pyetjeve të palëve në procedurë.

Lidhur me objektin e aktakuzës, Thaçi ka deklaruar se pavarësisht faktit të aplikimit për legalizim të këtij objekti,  ndërtimi i kundërligjshëm paraqet vepër penale.

Sipas tij, ligji i veçantë për trajtimin e objekteve pa leje i obligon që t’i respektojnë vendimet e organeve përgjegjëse inspektuese, në këtë rast vendimet e Drejtorisë së Inspektoratit.

“Po të mos ishin fazat inspektuese qindra objekte të mbetura në gjysmë që presin legalizim do t’i vazhdonin ndërtimet pa fund. Por, edhe vetë ligji e parasheh se pas aplikimit, pas shqyrtimit të kërkesës, ju duhet të pajiseni me pëlqim për vazhdimin e punimeve”, deklaroi Thaçi.

Thaçi shtoi se edhe në rastet kur ka ndërtim me leje, investitori është i obliguar që brenda shtatë ditësh para fillimit të punimeve të njoftojë Drejtorinë e Inspektorateve për fillimin e punimeve. Sipas tij, ligji e parasheh edhe në këtë rast përgjegjësinë pavarësisht pajisjes me leje.

Ndërsa, sa i përket njoftimit të investitorit për tejkalimin e punimeve, i akuzuari Thaçi theksoi se pas diskutimit më zyrtarë të MMPH-së dhe zyrtarë të tjerë nga Drejtoria e Inspektorateve rreth trajtimit të këtij të problemi, investitorit i ishte bërë me dije se nuk mund ta realizojë të drejtën e vazhdimit të punimeve në pjesën në të cilën kishte ndërtuar pa leje. Por, sipas ish-drejtorit Islam Thaci, Irfan Fusha i kishte detyruar që të veprojnë ndryshe.

“Zyrtarë nga MMPH-ja së bashku me mua si drejtor të Urbanizmit, koordinatorin e Drejtorisë së Inspektorateve Fail Hoxha, Arben Krasniqin nga Zyra Ligjore, sekretarët permanentë në MMPH dhe Bedri Halimin kemi bërë trajtimin e problemit të investitorit ABI-SHPK. Investitorit i është bërë me dije se  nuk mund ta realizojë të drejtën e vazhdimit të punimeve në pjesën në të cilën kishte ndërtuar pa leje. Fillimisht, z. Fusha i ka pranuar këto kushte por më vonë na ka detyruar që të veprojmë”, shtoi Islam Thaçi.

I akuzuari Thaçi tutje ka thënë se ndonëse lënda ka qenë me ankesë në organin e shkallës së dytë, ankesa nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit për shkak se, sipas tij, veprimi i kundërligjshëm paraqet vepër penale.

Sipas tij, dëmtimi që mund të krijohej nga ndërhyrja e pamatur ka ndikuar që kjo lëndë të trajtohet me prioritet të lartë.

“Ndonëse lënda e ABI-SHPK-së ka qenë lëndë e trashëguar, ka pasur prioritet të lartë për shkak të dëmit që mund të krijohet nga ndërhyrja e shpejtë e pamatur, dhe fazat e ndërtimit që do të thotë edhe dëmi është më i madh”, përfundoi i akuzuari Thaçi.

Ndërkaq,  rrënimi i dhunshëm i këtij objekti duhej të bëhej ngase kishte plan rregullativ të hollësishëm për hapje të rrugës në pjesën ku ishte bërë tejkalimi.

Kurse, gjatë vitit 2017-2019 për çështjen në fjalë kishin qenë të angazhuar tre inspektorë, përkatësisht prej 2017 e deri më 2018 kishte qenë inspektori Bashkim Krasniqi, një pjesë të vitit 2018 e deri në 2019 kishte qenë inspektorja Egzona Morina-Thaçi dhe pjesën tjetër të mbetur inspektorja Jetmire Vrenezi.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës seanca e sotme u ndërpre e ato të radhës u caktuan për më 28 shkurt, 4 dhe 7 mars 2022.

Sipas Prokurorisë, Islam Thaçi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë mundësuar realizmin e rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshia” në Prizren, duke e pasur të ditur faktin se i dëmtuari veçse e kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim të aneksit.

Rasti për të cilin akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 19 dhe 21 korrik 2019.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Udhëzimin Administrativ nr.06/19, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e aneksit në fjalë, konsiderohet 69 mijë e729 euro.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.