Foto: REL

Rastet sociale përfituan nga dy pagesa por jo dhe pensionistët

 

 

Si rezultat i situatës së krijuar nga virusi “COVID-19”, Ministria e ‘kuletës së shtetit’, përkatësisht Qeveria e Kosovës, mori vendim që rasteve sociale t’u ndahet edhe një pagesë më tepër sociali, si pagesë shtesë. Por të njëjtin fat, për dy pagesa, nuk e patën edhe mbi 197 mijë pensionistë. Nëse edhe për pensionistët, shteti do të ndante nga dy pensione, atëherë i bie se do të shpenzoheshin rreth 46.8 milionë euro.

Numri i familjeve në skemën e ndihmës sociale është 24 mijë e 198 familje me gjithsej 98 mijë e 110 anëtarë. Për vitin që shkoi, kjo skemë pati shpenzim gjithsej 31,617.257 euro.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Transfereve, mesatarja mujore për këtë skemë shkon ne 2.6 milionë euro.

Në muajin mars, u paguan 5.1 milionë euro për përfituesit e ndihmës sociale, dhe shtesa

“Për muajin mars, vlera për pagesë për dy muaj ishte 5.1 milionë euro dhe përmes një vendimi të veçantë të Qeverise do të trajtohet pjesa e një muaji shtesë, në kuptimin e mos kalkulimit në kuadër të pagesës mujore për muajt në vijim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Rreth 23.4 milionë euro iu paguan pensionistëve

Sipas të dhënave të ofruara nga Ministria e Financave dhe Transfereve, janë 197 mijë e 203 pensionistë. Ku prej tyre, 137 mijë e 641 marrin pensionin bazë ndërsa 59 mijë e 562 marrin pensionet kontributeve në mesin e të cilëve bëjnë pjesë edhe pensionistët e skemës së viteve të 90-ta.

Vetëm në muajin mars, pagesa për këto skema ishte 23,394,557.00 euro. Ku për pensionet bazë u paguan 12 milionë e 719 mijë e 10 euro ndërsa për pensionet kontributeve përfshirë edhe skemën e viteve të 90-ta u paguan 10 milionë e 675 mijë e 547 euro.

Në përgjigjen e Ministrisë për KALLXO.com thuhet se në vit shpenzohen mbi 265.3 milionë euro për pensione.

“Në bazë vjetore, për vitin 2019, këto dy skema kanë pasur: Pensionet bazë 145,402,981.00 dhe pensionet kontributeve (përfshirë skemën e viteve 90) 119,935,496.00 në total 265,338,477;00”, bën të ditur Ministria.

KALLXO.com gjithashtu ka pyetur se përse nuk janë ndarë nga dy pagesa për pensione sikurse u janë ndarë përfituesve të asistencës sociale, mirëpo nuk ka marrë përgjigje lidhur me këtë.

Pagesa mujore për rastet sociale sa 11% e pagesës së pensioneve

Nëse për një muaj shpenzohen mesatarisht 2.6 milionë euro në muaj për të iu dal në ndihmë familjeve në asistencë sociale, 23.4 milionë euro shpenzohen në muaj për pagesat e pensioneve për pensionistët.

Pagesa mesatare për rastet sociale raport me pagesën për pensionistët i bie sa 11 përqindëshi i kësaj të fundit.

Pagesa e dy pensioneve,  nuk do të kushtonte më shumë se sa pagesa e gjobës ndaj “Bechtel-Enkas” për shkak të gabimeve të qeverive paraprake.