Gjyqtari Avni Mehmeti - Foto: KALLXO.com

Rastet që i gjykoi gjyqtari Avni Mehmeti, anëtari i ri i KGjK-së

 

Pas një procesi disa orësh mbledhje dhe dy votimeve të njëpasnjëshme, gjykatësi Avni Mehmeti nga Mitrovica, u zgjodh sot si anëtari më i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ( KGJK ).

Avni Mehmeti, gjykatësi në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën e Mitrovicës ka gjykuar një numër të madh të rasteve, ndër më të rëndësishmet në këtë gjykatë.

39 vjeqari nga fshati Çabër – Mitrovicë, është gjyqtar në këtë gjykatë që nga gushti i vitit 2012, kur ishte emëruar si gjyqtar në ish-Gjykatën e atëhershme Komunale.

Garës për anëtar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës i fut javën e kaluar kur nga kolegët e tij në Gjykatën e Mitrovicës ishte zgjedhur për të kandiduar si anëtar për Këshillin Gjyqësor.

Tri raste të korrupsionit në të cilat ishin përfshirë policë të Kosovës, një prej tyre e përfunduar, kurse dy në procedurë janë gjykuar nga gjykatësi Avni Mehmeti.

Rasti i policëve të trafikut i ndarë në dy raste të veçanta, ku përfshihen policë nga Njësisa e Trafikut të Mitrovicës  në Jug dhe Veri janë raste në procedurë të cilat gjykohen nga gjykatësi Mehmeti, tashmë i zgjedhur anëtar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Një rast tjetër i gjykuar nga Mehmeti është edhe rasti në të cilin të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare ishin edhe katër polic, të cilët janë liruar nga akuza për këtë vepër, me rastin e shpalljes së aktgjykimit në nëntor të vitit 2019.

Përveç rasteve të korrupsionit, si kryetar i trupit gjykues Avni Mehmeti kishte qenë edhe në rastin e vrasjes në Skenderaj, ku i akuzuar kishte qenë Muhamet Ahmetin për vrasje të rëndë, Arsim Ferizin  për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë dhe Astrit Lushtakun për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa nga gjykata e Pejës e dërguar në atë të Mitrovicës, nga Mehmeti po ashtu si kryetar i trupit gjykues është gjykuar edhe rasti lidhur me vrasjen e Isa Kargjyz në Pejë, ku i akuzuar është Nimon Berisha.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga gjykata e shkallës së dytë ajo e Apelit.

Me 155 vota të marra nga gjyqtarët e Gjykatave Themelore të Kosovës, Komisioni konstatoi se Avni Mehmeti është fitues i pozitës së hapur për anëtar të KGjK-së.

Rivali i Mehmetit për këtë pozitë, gjyqtari nga Gjykata e Gjakovës, Mentor Bajraktari mori 132 vota në votimin e dytë.

Nga 330 gjyqtarë, 328 patën të drejtë vote.

295 votuan në raundin e parë, kurse 287 në të dytin.

Kjo pozitë ka mandat 5 vjeçar.