Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Rastet e reja të vetëlëndimit të nxënësve të nxitur nga loja në “TikTok”, reagon Ministria e Arsimit

Pas rreth dy ditësh prej që u raportua se disa nxënës në shkollat e komunës së Lipjanit e kanë lënduar veten të nxitur nga video (loja) në “TikTok” – “Sfida e Supermenit”, ka reaguar Ministria e Arsimit.

Sipas Ministrisë së Arsimit, të gjithë i kanë marrë me shqetësim rastet e lëndimeve të nxënësve si pasojë e përfshirjes në lojëra të rrezikshme online.

Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje komunave që t’i trajtojnë këto raste.

“Ftojmë të gjitha strukturat dhe mekanizmat e mbrojtjes, të themeluara në komuna sipas Ligjit për mbrojtje të fëmijës që të bashkëveprojnë me institucionet arsimore për t’i trajtuar këto raste me qasje ndërsektoriale sepse duhet vlerësuar rrethanat e përgjithshme dhe profilet e fëmijëve që ndikohet lehtë dhe përfshihen në rreziqe për vete dhe të tjerët” – thuhet në reagimin e Ministrisë së Arsimit, më 07.12.2024.

Ministria e Arsimit uron që fëmijët e lënduar të marrin shërbimet e nevojshme për shërim e rehabilitim e mos të ndodhin më raste të tilla.

Nga Ministria kanë bërë të ditur se kanë zhvilluar materiale didaktike për edukatorë, mësimdhënës dhe këshilla e udhëzime për nxënës e prindër, prandaj kërkojnë që rreziqet online dhe edukimi për përdorimin e sigurt e të dobishëm të internetit, të trajtohet me efikasitet në shkolla dhe shtëpi.

“Stafi ynë çdo ditë është duke mbajtur seanca nëpër komuna me staf të shkollave, prindër, nxënës dhe shërbime tjera për zbatimin e politikave të mbrojtjes së fëmijës, duke synuar rritjen e koordinimit institucional në të mirë të zhvillimit të fëmijëve tanë” – kanë njoftuar nga Ministria.

Ata theksojnë se ka kohë që kanë hartuar pakon e udhëzuesve ”Udhëtimi nëpër internet”, në të cilën përfshihen dy udhëzues për nxënës, një për mësimdhënës dhe një për prindër, me të cilën ofrohen alternativat e përdorimit të internetit në mënyrë të dobishme e të përgjegjshme, duke trajtuar këtë tematikë me qasje ndërkurrikulare, ekstrakurrikulare dhe me mësim zgjedhor.

Ministria ka shtuar se këtë vit, i kanë finalizuar edhe dy udhëzues për mbrojtjen e fëmijës në internet – klasa 10-12 dhe për edukatoret e institucioneve parashkollore.

Me këtë rast, ata kanë ndarë edhe adresat e udhëzuesve zyrtarë të hartuar për trajtimin e përdorimit të internetit nga shkollat e mesme dhe për edukatorët në institucionet parashkollor.

“Vetëm së bashku, ku secili bën punën me përgjegjësi, mund të arrijmë sukses në krijimin e ambienteve edukative të sigurta, të shëndetshme e miqësore” – ka thënë në fund, Ministria e Arsimit.

Ky është reagimi i dytë i Ministrisë së Arsimit për rastet e vetëlëndimit të nxënësve në komunat e Kosovës.

Përveç Ministrisë së Arsimit, edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka shprehur shqetësimin për përhapjen e videos (lojës) së rrezikshme që po qarkullon në “TikTok” – “Sfida e Supermenit”.

Përveç reagimit të tij, KOMF i ka rekomanduar nxënësve, prindërve e mësimdhënësve disa hapa se si të kenë kujdes ndaj kësaj situate.

“KOMF i drejtohet të gjithë nxënësve, kjo nuk është një “lojë” dhe nuk është as “sfidë”. Luajtja e kësaj loje, ju dëmton fizikisht dhe mund të keni pasoja për shëndetin tuaj” – thuhet në reagimin e KOMF, më 07.12.2024.

KOMF u ka bërë thirrje të gjithë nxënësve që t’i raportojnë tek prindërit apo mësimdhënësit nëse kanë informacione se shokët apo shoqet janë të përfshirë në këtë lojë. 

“Vetëm kështu mund të ndihmoni vërtet shokët tuaj! Përfshihuni në lojra që ju ndihmojnë të rriteni të fortë e të shëndetshëm dhe qëndroni larg këtyre mashtrimeve” – kanë thënë nga KOMF.

Me këtë rast, KOMF u ka bërë thirrje prindërve që t’i monitorojnë fëmijët gjatë qëndrimi të tyre në internet dhe të flasin me fëmijët për “lojrat” apo “sfidat” e papërshtatshme, rreziqet dhe dëmet që sjellin ato.

Kurse, mësimdhënësve KOMF u rekomandon që të mbajnë sesione informuese dhe vetëdijësuese me nxënësit mbi pasojat që mund të kenë nga lojrat e papërshtatshme dhe se si të zëvëndësohen ato me lojra argëtuese e të shëndetshme.

“Siguroni mbikëqyrje të nxënësve në klasë, gjatë pushimeve dhe në ambiente të tjera të shkollës për të parandaluar rreziqet e tilla. Keni vëmendje dhe kujdes të shtuar për të parandaluar raste të reja të fëmijëve që mund të manipulohen nga kjo lojë. Siguroni koordinim intensiv dhe të vazhdueshëm me nxënësit dhe prindërit për këtë çështje” – ka theksuar KOMF.

Për “Sfidën e Supermenit” KALLXO.com raportoi më 04.12.2024, se kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, u ka bërë thirrje prindërve dhe personelit arsimor që të shtojnë kujdesin në përmbajtjen që fëmijet ndjekin, për shkak të rritjes së numrit të fëmijëve të lënduar si pasojë e praktikimit të kësaj loje që është shfaqur në “TikTok”.

Sipas njoftimit, ditëve të fundit komuna është njoftuar për rritje të numrit të nxënësve të lënduar si pasojë e kësaj “sfide”.

“Loja quhet Sfida e Supermenit dhe përfshin hedhjen me njërën dorë përpara, duke imituar personazhin Superman. I bëjmë thirrje të gjithë prindërve: Kujdesuni për përmbajtjet që fëmijët ndjekin në platformat sociale dhe ndihmojini të kuptojnë pasojat e mundshme fizike dhe emocionale që mund të shkaktojnë këto lojëra”- thuhet në njoftimin e Komunës së Lipjanit, më 04.12.2024.

Këto nuk janë rastet e para të nxënësve në Lipjan që e lëndojnë veten të nxitur nga video (loja) në “TikTok”.

Rastet e vetëlëndimit të nxënësve në komunat e Kosovës

Pas raportimit të KALLXO.com më 30.05.2024 se 17 nxënëse të shkollave fillore të mesme të ulëta “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë-Kosovë i kanë gërvishtur duart e tyre, të nxitur nga një video (lojë) në “TikTok”, një ditë më pas, u raportuan edhe tre nxënës nën moshën 14-vjeçare të shkollës fillore të mesme të ulët “17 Shkurti” në fshatin Gllogovc të komunës së Lipjanit se ishin vetëlënduar.

Reagimi i KOMF i datës 07.12.2024, është reagimi i dytë i tij këtë vit për çështjen e vetëlëndimit të nxënësve nga video (loja) të “TikTok”.

KOMF reagoi edhe më 07.06.2024, pas raportimeve se 20 nxënës të shkollave fillore në Fushë Kosovë e Lipjan kanë lënduar vetën, të nxitur nga një video (lojë) në “TikTok”.

Raste të nxënësve që e lënduan veten të nxitur nga video (loja) në “TikTok” u raportuan edhe në Gjakovë. Të martën, më 08.10.2024, Gjakova e nisi ditën me njoftimin se drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Eranda Kumnova- Baçi i ka raportuar në Polici tri nxënëse se janë vetëlënduar.

Në fund të ditës së martë, dolën edhe 10 raste të tjera të nxënëseve të klasave 6 deri në 9, duke e ngritur numrin në 13 raste të nxënëseve që i kanë lënduar duart me mjete të mprehta.

E më 09.10.2024, u raportua se janë gjithsej 19 nxënëse që kanë lënduar veten në Gjakovë. Kjo u zbulua pasi vazhduan kontrollat e nxënësve në shkolla nga drejtorët e shkollave, psikologët e kujdestarët e klasave.

Të gjitha rastet e nxënëseve që e kanë lënduar veten në Gjakovë janë duke u trajtuar nga Policia e Prokuroria si – shtytje në vetëvrasje.

Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjakovës, Sheremet Elezaj, e kishte konfirmuar për KALLXO.com më 09.10.2024, se 19 nxënëse në Gjakovë dyshohet se e kanë lënduar veten në periudha të ndryshme kohore.

Pas raportimeve të KALLXO.com për rastet e nxënëseve të komunës së Gjakovës të cilat kanë lënduar veten të nxitura nga një lojë në “TikTok”, më në fund reagoi ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në llogarinë e saj në Facebook, më 10.10.2024, ministrja Nagavci u bëri thirrje prindërve dhe mësimdhënësve që të kujdesen për sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimit të teknologjisë.

Nxënësit e lënduan veten edhe në Kamenicë. KALLXO.com raportoi më 14.10.2024, se tetë nxënës të një shkolle fillore të mesme të ulët në një fshat të komunës së Kamenicës, më 11.10.2024, tentuan ta lëndojnë njëri-tjetrin, duke u ndikuar nga një lojë e rrezikshme në “TikTok”.

Këtë e kishte konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Arsimit në Kamenicë, Afrim Dervishi.

Nxënësit në Kamenicë, sipas Dervishit, rrezikuan vetën dhe njëri-tjetrin duke u bazuar në videot e shfaqura në “TikTok”. E gjitha, siç kishte thënë ai, kishte ndodhur para fillimit të mësimit, të premten më 11.10.2024.

Më 19.10.2024, KALLXO.com publikoi hulumtimin “Kosova sheh rritje të vetëlëndimit të nxënësve ndërsa psikologët në shkolla mungojnë”. Në këtë hulumtim u paraqit numri i psikologëve shkollorë në 13 komuna të Kosovës: Prishtinë, Lipjan, Ferizaj, Gjakovë, Skenderaj, Deçan, Suharekë, Viti, Podujevë, Vushtrri, Drenas, Gjilan dhe Prizren. 

Rastet e vetëlëndimit në shkolla fillore të mesme të ulëta dhe shkolla të mesme të larta në Kosovë janë duke u rritur përderisa psikologët në shkolla mund të punësohen vetëm nëse shkolla i ka mbi 1000 nxënës, duke u bazuar në një Udhëzim Administrativ të Ministrisë së Arsimit.

Sipas një udhëzimi administrativ të vitit 2013 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës (MASHTI), psikologët në shkolla në Kosovë duhet të jenë përgjegjës për mbi 1,000 nxënës. Kjo do të thotë se psikologët shpesh duhet të punojnë në më shumë se një shkollë në mënyrë që të arrijnë numrin e kërkuar të nxënësve, 1000, dhe mund të mos jenë në gjendje të merren në kohë me ata nxënës që kanë nevojë për vëmendje të menjëhershme.