
Ilustrim, Foto: Gerd Altmann
Rastet e raportuara të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë
Për 24 orë në Policinë e Kosovës janë raportuar katër raste të dhunës në familje që kanë ndodhur në tri qytete.
Prej këtyre rasteve kanë përfunduar tre të arrestuar dhe dy të shoqëruar në stacionin policor.
Në Podujevë, një grua, shtetase e Shqipërisë ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një burrë, pas një mosmarrëveshjeje.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 23.12.2024, rreth orës 22:30. E sulmuara me vullnetin e saj ka vazhduar për në Shqipëri, njofton Policia.
“I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 25.12.2024.
Një shtetase tjetër e Shqipërisë, por në Obiliq, ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar fizikisht nga një burrë, i cili më pas është sulmuar fizikisht nga një burrë tjetër.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 24.12.2024, rreth orës 14:00. E sulmuara ka pranuar trajtim mjekësor, kur dy të dyshuarit janë arrestuar e dërguar në mbajtje.
Një grua në Prishtinë, ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një burrë, pas një mosmarrëveshjeje, më 24.12.2024 rreth orës 15:17.
Policia thotë se gruaja ka kërkuar urdhër mbrojtës dhe më pas është dërguar në strehimore.
“Ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt” – ka njoftuar Policia.
Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Prishtinë. Një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një burrë.
Edhe ky rast ka ndodhur më 24.12.2024, rreth orës 08:00, për të cilin Policia e ka shoqëruar në stacion policor të dyshuarin..
“Pas intervistimit [të të dyshuarit] me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt” – njofton Policia.
Në anën tjetër, katër raste të dhunës në familje janë raportuar edhe më 23.12.2024. Këto raste kanë ndodhur në: Ranilug, Gjilan, Prishtinë dhe Istog. Prej tyre janë arrestuar dy persona.