
Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: KALLXO.com
Rastet e korrupsionit që i gjykoi Gjykata e Gjilanit gjatë vitit 2024
Gjykata Themelore në Gjilan gjatë vitit 2024 ka arritur të përfundojë gjithsej 12 lëndë të rasteve të korrupsionit.
Rastet e natyrës së korrupsionit përfshijnë veprat penale, si: “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “marrje apo dhënie ryshfeti”, përvetësim në detyrë”, e vepra të tjera të ngjashme.
Në rastet e përfunduara nga kjo Gjykatë gjatë 2024-ës, 7 Aktgjykime janë dënuese, 1 lëndë me Aktgjykim me dënim me kusht, dhe 5 Aktgjykime me gjobë (prej tyre 2 Aktgjykime janë vetëm me gjobë, 2 Aktgjykime janë me gjobë dhe burg dhe 1 Aktgjykim me gjobë dhe burgim me kusht).
Nga kjo Gjykatë, 4 Aktgjykime dënuese janë dënim me burg efektiv.
Gjykata e Gjilanit gjatë vitit 2024 lidhur me rastet e korrupsionit ka shpallur 4 Aktgjykime liruese.
Nga Gjykata e Gjilanit gjatë vitit 2024 është zgjidhur një lëndë me Aktgjykim refuzues dhe nga e njëjta Gjykatë raste të parashkruara nuk ka gjatë këtij viti.
Në vitin që lamë pas, 2024, Gjykata në Gjilan ka pranuar gjithsej 8 lëndë të rasteve të korrupsionit, ndërsa nga kjo Gjykatë gjithsej 14 lëndë të kësaj natyre nga viti 2024 janë bartur për në vitin 2025.
Këto të dhëna janë siguruar nga KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike nga Gjykata Themelore në Gjilan, më 09.01.2025.
Sipas Raportit vjetor të punës së vitit 2024 të Gjykatës Themelore të Gjilanit, të publikuar në uebfaqen zyrtare, të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës, në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjilan, në Divizionin Penal, lëndë që janë gjithsej në punë janë 634; lëndët e kryera sipas këtij Raporti janë 197, ndërsa lëndë të mbetura janë 436.
Sipas këtij Raporti në Departamentin e Përgjithshëm në Divizionin Penal, lëndët të cilat janë në punë janë gjithsej 2278 lëndë: 913 janë lëndë të kryera dhe 1365 lëndë të mbetura.