Rastet e dyshuara me koronavirus në Kosovë dalin negative

Tre rastet e dyshuara me koronavirus të paraqitura në Klinikën Infektive të QKUK-së kanë rezultuar negative.

Siç njofton Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influenza A dhe B.

“Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR të të tre pacientëve. Testet kanë rezultuar negative për të tri analizat, domethënë të tre pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 as me Influencë A dhe B”, thuhet në njoftim.

Qendra Klinike e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se më herët se janë paraqitur tri raste të reja të dyshuara për koronavirus.

Sipas ShSKUK-së, këta tre qytetarë kanë ardhur nga Italia.

“Në Klinikën Infektive në QKUK, sot janë paraqitur 3 raste të dyshuara për coronavirus. Një shtetas jo kosovar, 69 vjeç i cili ka qëndruar në Itali. Dy shtetas të tjerë kosovarë, 25 vjeç dhe 23 vjeç, të cilët kanë ardhur sot nga Italia. Janë marrë mostrat për analizë dhe janë dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike për verifikim. Klinika Infektive njofton se nuk ka nevojë për panik dhe shqetësim, meqë janë vetëm raste të dyshuara”, thuhet në njoftim.

Edhe gjatë ditës së djeshme u dyshuar për një person të prekur me Coronavirus, por analizat e tij rezultuan negative.
https://kallxo.com/lajm/dalin-rezultatet-per-rastin-e-dyshuar-per-coronavirus-ne-qkuk/