Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
Rastet e dhunës në familje, pesë të arrestuar e dy të dyshuar në arrati
Shtatë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit janë raportuar në Policinë e Kosovës.
Sipas raportit të Policisë, dy raste të dhunës në familje kanë ndodhur në Prishtinë, tri raste në Pejë dhe dy tjerat në Drenas e Fushë Kosovë.
Policia në Drenas ka arrestuar një burrë pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Rasti ka ndodhur më 03.09.2024, rreth orës 10:50. E lënduara ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje, njofton Policia.
Një tjetër është arrestuar në Prishtinë pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psiqike ndaj një gruaje. Rasti ka ndodhur më 03.09.2024, rreth orës 09:00.
“Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 04.09.2024.
Në rastin e dytë të dhunës në familje në Prishtinë, një grua ka raportuar se një burrë i kishte dërguar mesazh (SMS) me përmbajtje kërcënuese. Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 03.09.2024, rreth orës 18:17. Policia ka njoftuar se i dyshuari ndodhet në arrati, ndërsa rasti është duke u hetuar.
Policia në Fushë Kosovë, ka arrestuar një burrë pasi dyshohet se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. Ky rast ka ndodhur më 03.09.2024, rreth orës 20:15.
Dy të arrestuar e një ndodhet në arrati sa i përket tri rasteve të dhunës në familje në Pejë. Edhe këto raste kanë ndodhur më 03.09.2024.
I dyshuari i parë në Pejë është arrestuar pasi që në gjendje të dehur dyshohet se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje. Rasti ka ndodhur rreth orës 16:00.
Pasi kishte kanosur një burrë, Policia në Pejë e ka arrestuar të dyshuarin e dytë. Rasti ka ndodhur rreth orës 19:30.
Dhe në rastin e tretë të dhunës në familje në Pejë, një grua ka raportuar se një burrë kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Rasti ka ndodhur rreth orës 21:00.
Policia njofton se gruaja ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati dhe rasti është duke u hetuar.