Ilustrim

Rast interesant, kamarieri dënohet në Kaçanik se u shërbeu alkool disa të miturve

Gjykata e Kaçanikut ka dënuar një kamarier në Kaçanik me inicialet E.M., pasi i njëjti kishte akuzë nga prokuroria për shërbim të pijeve alkoolike personave nën moshën 16-vjecare.

Sipas dosjes së prokurorisë, i njëjti duke qenë në cilësinë e kamarierit në një lokal në Kaçanik, nga pakujdesia i’u kishte shërbyer disa të miturve.

Dosja e gjykatës, përshkruan edhe se dy nga të miturit kanë marrë tretman mjekësor në QKMF-Kaçanik dhe sipas raportit mjekësor ishte konstatuar se kanë qenë në gjendje të dehur.

Për këtë, gjykata i ka shqiptuar vërejtje gjyqësore të pandehurit.

Rasti kishte ndodhur në verën e vitit 2021, ku i pandehuri në seancën e mbajtur në qershor të vitit 2022 e kishte pranuar fajësinë si dhe ka ndjerë keqardhje për rastin.

E.M., në seancë kishte premtuar se do të jetë më i kujdesshëm në punë, si dhe kishte kërkuar nga gjykata të marrë parasysh edhe gjendjen e tij ekonomike.

Në arsyetimin e shqiptimit të dënimit të shpallur më datë 5 korrik të vitit 2022, prokuroria e shtetit nuk kishte shprehur kundërshtime lidhur më pranimin  e fajësisë nga i pandehuri.

Me rastin e shqiptimin të dënimit, gjykata kishte marrë si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë në mënyrë të sinqertë.

Sipas dosjes së gjykatës  dënimi i caktuar është në proporcion me veprën si dhe sjelljen e të pandehurit, është adekuat me intensitetin e rrezikimit të vlerave të mbrojtura, personalitetin e të pandehurit, andaj edhe konsideron se ky dënim do të ndikojë tek i pandehuri dhe personat tjerë që të shmangen nga kryerja e veprave penale, dhe të forcojë detyrimin për respektimin e ligjit, dhe me këtë edhe të arrihet në tërësi qëllimi i dënimit.

Shërbimi me pije alkoolike i personave nën 16 vjeç  është vepër penale, e sanksionuar me nenin 266 sipas Kodit të ri Penal i miratuar në janar të vitit 2019.

“Kushdo që në lokalin hotelier, në bar apo në ndonjë dyqan tjetër ku shiten pije alkoolike, i shërben, i shet apo i vë në dispozicion pije alkoolike personit nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjet, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj. Kur vepra penale kryhet nga pakujdesia, kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) muaj”.