Seanca lidhur me padinë e Rashit Qalajt ndaj Zyrës së Kryeministrit dhe MPB-së lidhur me konkursin për Drejtor të Policisë FOTO-KALLXO.com

Rashit Qalaj tërheq kërkesën për anulim të konkursit për Drejtor të Policisë

Rashit Qalaj, ish-Drejtor i Policisë ka tërhequr kërkesën për masë të sigurisë, përkatësisht anulimin e konkursit ekzistues.

Në seancën e sotme, avokati i Rashit Qalajt, Adem Vokshi ka shpjeguar arsyen se pse  kanë tërhequr kërkesën për masë të sigurisë .

“Për fat të keq me 20 janar 2021 në portalin e Policisë së Kosovës ka dalë informacioni se ka përfunduar procedura e zgjedhjes së Drejtorit të Policisë së Kosovës me të cilin veprim është injoruar veprimtaria e gjyqësorit dhe me vetë këtë fakt është bërë jo lëndore që të ngelim pranë propozimit për caktimin e masës së sigurisë”, tha Vokshi.

Kurse përfaqësuesja e autorizuar e palës së paditur në këtë rast, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilire Tasholli- Aydogan tha se nuk e kundërshton propozimin për tërheqjen e masës së sigurisë.

“Nuk e kundërshtojmë këtë propozim pasi që dhe ashtu nuk kanë qenë të plotësuara kriteret sipas nenit 297 të LPK-së, për caktimin e kësaj mase. Ndërsa sa i përket deklaratës së të autorizuarit të propozuesit lidhur me padinë, do të deklarohem në seancat që do të mbahen në vijim për çështjen kryesore”, tha avokatja Tasholli-Aydogan.

Gjykata konstatoi të tërhequr propozimin e propozuesit Rashit Qalaj, për caktimin e masës së sigurisë me të cilin ka kërkuar anulimin e vendimit lidhur me shkarkimin nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Më 4 janar KALLXO.com ka raportuar se Gjykata Apelit ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në lidhje me masën e sigurisë dhe pezullimin e konkursit të policisë për Drejtor të Përgjithshëm ndërsa lënda do të kthehet në rivendosje në Gjykatën Themelore.

Me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, konkursi i Policisë së Kosovës për Drejtor të Përgjithshëm ishte bllokuar. Kjo pas kërkesës së ish-drejtorit të PK-së, Rashit Qalaj, në lidhje me caktimin e masës së sigurisë për të bllokuar konkursin deri në përfundim të kontestit gjyqësor me Zyrën e Kryeministrit në lidhje me shkarkimin e tij muajin e kaluar.

Përmes kësaj padie, paditësi atakon vendimin e kryeministrit të datës 16 tetor 2020 me të cilin i njëjti është liruar nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.