Rashiq tregon pse Albin Kurti i pengon Vuçiqit

Nenad Rashiq, ish- ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e koalicionit “Sloboda” në zgjedhjet e 6 tetorit, ka folur rreth Albin Kurtit duke komentuar një intervistë të këtij të fundit në televizionin N1 ditë më parë.

Sipas tij, Kurti i pengon presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për arsye se ky i fundit e di që nuk mund të sillet si me presidentin Thaçi e kryeministrin në detyrë Haradinaj.

Ai tha se ka pasur kandidat të parapëlqyer për kryeministër Albin Kurtin dhe këtë e kishte thënë hapur.

“Albin Kurti i pengon Vuçiqit sepse e di se nuk do t’i shkojë sikur me Thaçin dhe Haradinajn”, tha Rashiq në një intervistë për Televizionin T7.

“Albini nuk i ka borxh askujt, në formën diplomatike. Dhe bazuar në këtë element ai e kupton se nuk e ka lehtë”, shtoi ai.

Ai tha se intervista e disa ditëve më parë në televizionin N1 në Serbi është pritur shumë mirë te serbët që jetojnë në Kosovë por edhe te ata në Serbi.

“Unë e kam përcjellë intervistën e Albin Kurtit në N1 me disa miq. I kam përcjell edhe komentet pastaj, aty i kam pa komentet të thella dhe që tregonin mendimin. Ishte interesante që kishte komente pozitive”, deklaroi ai.

“Kishte pasur edhe komente që, a mund ta kemi z. Kurtin kryeministër tonin. Ka pasur një ndikim pozitiv. Z. Kurti ka treguar seriozitetin, inteligjent i cili tregon se ka një diapazon për informacionin. Ai nuk tha jo për dialogun. Ai tregoi edhe një fuqi, që bindjet mund t’i ndryshojë mendimet pa pasur fakte dhe bazë”, thotë Rashiq.

“E kam ndi veten të privilegjuar që tash për tash mund të kemi një komunikim për interesat e serbëve. Ai përdorte fjali të gjata të cilat shpjegonin problemet, ai dinte gjuhën shumë mirë”, thotë ai.