Rashiq: Nuk e kam parë planin franko-gjerman

Ministri për Kthim dhe Komunitete i Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se nuk e ka parë planin e Bashkimit Evropian, i njohur si Plani franko-gjerman, pavarësisht që e ka kërkuar në shumë adresa.

“Planin nuk e kam parë, nuk e kam pranuar, e kam kërkuar në shumë adresa në shumë destinacione, por nuk e kam pranuar” – tha Rashiq në emisionin “Kallxo Përnime”.

Sot në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti tha se ishte i gatshëm ta nënshkruajë Planin franko-gjerman i njohur si Plani i Bashkimit Evropian.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha që sot nuk pati marrëveshje për shkak që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk pranoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera.

Borrell në anën tjetër përmendi fundin e marsit si një kohë kur mund të finalizohet plotësisht puna.

https://kallxo.com/lajm/borrell-shpresoj-qe-nga-fundi-i-marsit-te-kemi-te-finalizuar-plotesisht-punen/