Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rashiq: Në veri nuk ka burim të dytë të informimit

Nenad Rashiq, ministër për Kthim dhe Komunitet në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se serbët në veri informohen vetëm nga televizioni shtetëror serb, pa ndonjë burim të dytë të informimit.

“Në Zveçan nuk ka asnjë media opozitare, atje shikohet TV Pink 24 orë  në ditë. Mund të shkoni dhe të shikoni se shumica e njerëzve në zonën jugore, ka informacion më të shumtë, ndërkaq në veri nuk ka burim të dytë të informimit, përveç atij shtetëror serb”- tha ai.

Sipas Rashiqit, serbët e pjesës veriore kanë më shumë presion nga Lista Serbe.

“Metodat e presionit, masat radikale ndaj serbëve, janë më ekstreme se në pjesën jugore, ndikimi i Listës Serbe është më i vogël në pjesën jugore” – tha ai.

Në emisionin “Kallxo Përnime” u disktua për dialogun Kosovë- Serbi, dhe të ftuar ishin edhe Lutfi Haziri nga LDK, Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, lider i Partisë së Serbëve të Kosovës, Sllagjana Pantoviq, politikane e pavarur nga Zveçani.

Sot në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti tha se ishte i gatshëm ta nënshkruajë Planin franko-gjerman, i njohur si Plani i Bashkimit Evropian.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha që sot nuk pati marrëveshje për shkak që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk pranoi formimin e Aociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera.

Borrell në anën tjetër përmendi fundin e marsit si një kohë kur mund të finalizohet plotësisht puna.

Ndërsa para pak minutash u bë publike edhe përmbajta e Planit të BE-së, i njohur edhe si Plani franko-gjerman.

Përmbajtja e planit franko-gjerman