Rashiq flet për sulmin ndaj djalit të tij: E gjitha ishte e planifikuar

Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive, ka mbajtur një konferencë për media pas sulmit ndaj djalit, Nikola Rashiq teksa po dilte nga shkolla në fshatin Llaplla Sellë të Graqanicës, ngjarje cila ndodhi gjatë ditës së hënë, më datë 22.02.2021.

Ai ka thënë se këto dy ditë kanë qenë të rënda për të dhe familjen e tij si dhe ka falënderuar të gjithë për përkrahjen duke shpresuar që rasti të zbardhet sa më shpejt.

“Kanë qenë dy dite të rënda për mua dhe familjen, u kërkoj falje te gjithëve që nuk kam pasur mundësi të iu përgjigjem. I falënderoj stafin diplomatik, zonjën Osmani, e zotëri Kurtin. Dje kemi pësuar sulme, atë që kemi kaluar dje, ishte një fatkeqësi e madhe, një shqetësim i madh. Nuk dua të prejudikoj procesin e hetimeve, sepse është ende në zhvillim. Shumë persona janë ndaluar, dua të them se rasti është nën kontroll dhe të gjitha organet kompetente janë duke kryer punën e tyre. Unë nuk dua të prejudikoj, por dua që sa më shpejtë te zgjidhet ky rast”, ka thënë Rashiq.

Lidhur me sulmin ndaj djalit të tij, ai tha se është goditur me mjete të forta, i janë thyer tre dhëmbë dhe i është shqyer buza. Ai tha se në grupin e personave që sulmuan djalin e tij ka pasur edhe persona që e kanë kryer shkollën vite më herët.

“Djali im së bashku me disa djem është sulmuar nga një grup, me mjete të forta, me një shipk metalike dhe një boksier. Kur djali ka dalë nga shkolla, 30 deri në 50 persona e kanë sulmuar. I janë thyer 3 dhëmbë dhe i është shqyer buza. Në këtë grup ka pasur persona që e kanë kryer shkollimin disa vite më herët. Këtu nuk ka pasur kacafytje mes të rinjve, por ka qenë diçka shumë më serioze. Ai ka marrë ndihmën e parë në ambulantën në Graçanicë, pastaj e kam dërguar personalisht në Prishtinë, e pastaj kemi dhënë dëshmi në Polici”, ka shtuar tutje Rashiq.

Sipas Rashiqit, deri te kjo ngjarje ka ardhur me planifikim, pasi sipas tij, të gjitha janë publikuar në rrjete sociale një natë më herët.

“Unë kam printuar disa gjëra. Nuk e di a ka qenë me urdhër apo spontane, nuk dua të prejudikoj Pardje në mbrëmje, ai grup është mbledhur dhe kanë planifikuar se çfarë do të bëjnë të hënën dhe i kanë publikuar në Facebook. Ditën e ngjarjes, djali që i ka publikuar këto, i është drejtuar djalit tim me një fjalor, ju kërkoj falje por dua ta citoj – Ai ia ka sha nanën shqiptare. Këtu ka diçka të planifikuar”, shtoi tutje Rashiq.

Tutje Rashiq ka thënë se është takuar edhe me prindin e kryesit të veprës dhe është treguar i përmbajtur teksa ka biseduar me të.