Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rashiq: Aktakuza ndaj meje është politike, Lista Serbe ka miq brenda partive shqiptare

Nenad Rashiq ka komentuar aktakuzën ndaj tij dhe ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, dhe ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Arben Gjuka dhe ndaj disa personave të tjerë për faljen e katër hidrocentraleve gjatë privatizimit të rrjetit të distribuimit të KEK-ut, proces ky i zhvilluar gjatë Qeverisë Thaçi 2.

Katër hidrocentrale ishin përfshirë në shitje të distribucionit pa qenë pjesë e kësaj shitjeje.

Nenad Rashiq në “Kallxo Pernime” thotë se dyshon që kjo aktakuzë është politike dhe Lista Serbe mund të ketë dorë pasi që ka lidhje me njerëz të fuqishëm të politikës në Prishtinë.

“Unë e kam një aktakuzë për hidrocentrale. Aty thuhet që Nenadi dhe të tjerët me 08.05.2013 kanë votuar për transformimin në KEDS dhe ashtu me radhë. S’kam pasur mundësi të marrë provat e tyre. OK, kanë ngritur aktakuzë dhe pastaj kur e mora dosjen, me atë datë unë nuk kam qenë fizikisht prezent aty. Bedri Hamza është liruar, por unë nuk jam liruar për shkak të mosprezencës. A mund ta besoni që kjo ka ndodhur rastësisht?”, tha fillimisht Rashiq në “Kallxo Pernime”.

“Nuk po mund ta besoj që Prokuroria ka përgatitur rastin 2  vjet, që të gabojë bash në atë aspekt. Ata e dinë që s’kam qenë aty dhe më është ngritur aktakuza. Unë kam arsye të dyshoj që kjo është bërë me qëllim sepse Lista Serbe ka bashkëpunim të mirë me disa parti të tjera që kanë fuqi brenda institucioneve, që i kanë inkuadruar në Prokurori njerëz që janë lojalë ndaj partisë”, tha tutje Rashiq.

Të ftuar sonte në emision janë Nenad Rashiq PDP, Duda Balje SDU, Anesa Colakovic NDS dhe Sllavisha Petkoviq nga SDS.

 

Aktakuzë për ish-ministrat e ‘Qeverisë Thaçi 2’ për faljen e Hidrocentraleve