Raportuesja e BE-së reagon pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve identifikuese.

Von Cramon ka thënë se shpreson që kjo të sjellë më afër marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve.

“Ndihem e kënaqur të dëgjoj se është arritur një marrëveshje nën lidershipin europian dhe mbështetjen e qartë të Escobar (SHBA). Shpresojmë që zbatimi i shpejtë do të çojë në gjetjen e zgjidhjes së targave të makinave dhe na sjellë më afër marrëveshjes përfundimtare të normalizimit”- ka shkruar ajo në Twitter.

 

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për çështje të letërnjoftimeve.

“Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”- ka shkruar Borrell në Twitter.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Borrell ka thënë se serbët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.

Borrell: Arrihet marrëveshja Kosovë- Serbi për dokumentet (kallxo.com)