
Raportoni çdo parregullsi rreth zgjedhjeve në KALLXO.com
Qytetarët e Republikës së Kosovës të dielën, më 09.02.2025, do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës.
KALLXO.com sikurse herave të kaluara, edhe kësaj radhe do ta monitorojë procesin e zgjedhjeve të së dielës në çdo zonë të Kosovës.
Një ekip prej mëse 70 vetash, prej tyre 40 gazetarë e kameramanë, mbi 10 anëtarë të ekipit ligjor, mbi 20 verifikues të fakteve do të monitorojnë procesin e zgjedhjeve anekënd vendit.
Sikurse në zgjedhjet e kaluara edhe kësaj radhe qytetarët do keni mundësi të informohen në kohë reale me lajme të sakta për ecurinë e procesit zgjedhor dhe çdo parregullsi eventuale gjithandej qendrave të votimit.
Ekipi i KALLXO.com, i fton qytetarët që të raportojnë çdo parregullsi të cilën ata mund ta hasin të dielën rreth procesit zgjedhor.
Qytetarët do kenë mundësi që të raportojnë LIVE në: në rrjetet sociale të KALLXO.com / +383 44 22 44 98 / Viber Whatsapp.
Qendrat e votimit do hapen në orën 07:00 dhe do mbyllen në ora 19:00.
Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 milion e 970 mijë e 944 votues me të drejtë vote.
Në të gjithë territorin e vendit do të hapen 903 Qendra të Votimit, me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime.
Në këto Zgjedhje të gjithë ata që do të votojnë me kusht kanë mundësi të votojnë vetëm në një Qendër Votimi, në një Komunë. Sipas KQZ-së do të jenë 38 Qendra Votimi me kusht, me gjithsej 58 vendvotime.
Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta për Kuvendin e Kosovës.