ILUSTRIM - Polic i Kosovës- foto: Fatrion Ibrahimi -KALLXO

Raporton në polici se u sulmua, arrestohet për deklarim të rremë

Policia e Rajonit të Pejës ka njoftuar se një person ka bërë kallëzim të rremë kur kishte deklaruar në polici se ishte sulmuar nga dy persona .

Policia ka sqaruar se më 29 tetor, rreth orës 13 një person me inicialet E. K., i lindur në vitin 1991 kishte raportuar në polici se ka qenë me veturë duke qarkulluar nga Deçani në drejtim të Junikut, në fshatin Voksh – Deçan dhe se aty kinse ka vërejtur një motoçikletë të rrëzuar dhe dy persona të shtrirë.

28 vjeçari ka vazhduar të rrefej në polici se pasi ka parë persona të shtrirë, është ndalur për t’i pyetur nëse kanë nevojë për ndihmë dhe në atë moment sipas tij, njëri nga të dyshuarit ia ka vendosur një pistolete në kokë duke i ka kërkuar paratë dhe gjatë përleshjes me ta, tjetri me një thikë e ka goditur në stomak.

“Më pas sipas viktimës, të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa viktima ka vazhduar rrugën dhe ka shkuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit ku i është dhënë ndihma mjekësore për lëndimin në stomak. Viktimës nuk i është grabitur asgjë pasi që nuk ka pasur para me vete”, thuhet në njoftimin e policisë.

Rasti se pari është raportuar në Policinë e Prizrenit dhe më pas Njësiti i Hetimeve të Stacionit policor në Deçan janë marrë me rastin.

Policia ka hetuar rastin dhe ka zbuluar se raportimi i viktimës ka qenë i rremë dhe se policia ka inicuar rast për ta hetuar 28 vjeçarin.

“Hetuesit policor të stc.pol. Deçan, pas një pune operativo-hetimore me datë 01.11.2019 ka arrit të vërtetojnë se i dyshuari i sipërshënuar në datën dhe kohen e incidentit nuk kishte qenë fare në atë lokacion, në lidhje me ketë policia ka arrestuar të dyshuarin e sipërshënuar dhe ka intervistuar nën dyshimet për veprën penale “Lajmërim apo kallëzim i rremë””, thuhet në sqarimin e policisë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori shtetit dhe me urdhër të tij, i dyshuari është liruar ne procedurë të rregullt, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore.