Foto: Ilustrim

Raportohet tjetër rast për sulm nga qentë endacakë në Prishtinë

Sulmet nga qentë endacakë nëpër rrugët e Prishtinës janë bërë një problem mjaft shqetësues për banorët e kryeqytetit.

KALLXO.com ditën e djeshme ka raportuar për një qytetare nga Prishtina, Vlora Konushevci, e cila në rrjetin social ‘Facebook’ ka ndarë rrëfimin, se si qentë endacakë e kanë sulmuar djalin e saj 12 vjeçar në një rrugë të Prishtinës.

Një tjetër qytetare për KALLXO.com ka rrëfyer përvojën e keqe me qentë endacak.

Imrane Mustafa, banore e Prishtinës ka treguar se me datën 20 gusht rreth orës 18:00 pasdite është sulmuar nga qentë endacak, në lagjen Veternik.

Në kohën kur është sulmuar, ajo ka qenë bashkë me dy vajzat e saj të mitura.

“Rasti ka ndodhur në lagjen Vetërnik tek mbi kalimi. Kam qenë me dy vajzat e mija dhe më kanë sulmuar qentë. Nga tentimi për tu larguar, jam rrëzuar dhe kam marrë lëndime të konsiderueshme në këmbën e djathtë”, ka thënë Mustafa.

Sipas saj, lëndimi në këmbë i ka dalë një problem shumë serioz dhe është dashur të operohet në një spital privat.

“Jam operuar para dy dite (8 shtator) dhe operimi në një spital privat më ka kushtuar 150 euro. Tash më duhet çdo dy ditë të kontrollohem, që ta trajtoj plagën”,  ka rrëfyer Mustafa.

Në anën tjetër, Vlora Konushefci, djali i të cilës është sulmuar dje nga qentë endacakë, ka kërkuar bashkëpunim me banorë të tjerë të kryeqytetit që kanë pasur përvoja të ngjashme, për ta paditur komunën e Prishtinës.

“Ju lutem kushdo që ka pësuar sulme nga qentë endacak më kontaktoni, t’i bëjmë bashkë faktet, të angazhojmë një avokat bashkërisht dhe ta padisim komunën e Prishtinës”, ka shkruar ajo në ‘Facebook’.

E iniciativës së Konushevcit është e gatshme t’i bashkohet edhe Imrane Mustafa, duke thënë se dikush duhet të marrë përgjegjësi për këto shqetësime serioze nga qentë endacakë.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në komunën e Prishtinës në lidhje me këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Sulmet nga qentë endacak, qytetarët paralajmërojnë padi ndaj Komunës së Prishtinës