Sulm me mortaja në Erbil në shkurt të vitit 2021. Foto ilustruese.

Raportohet se raketat në Irbil janë nisur nga Irani

Disa raketa kanë shënjestruar qytetin irakian Irbil dhe zyrtarët amerikanë kanë thënë se ato janë nisur nga Irani.

Raketat kanë goditur qytetin në orët e para të 13 marsit, duke shënjestruar ndërtesën e re të konsullatës amerikane dhe një zonë në afërsi, mirëpo ato kanë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe një civil është plagosur, ka thënë Ministria e Brendshme kurde.

Një korrespodent i televizionit shtetëror iranian me bazë në Irak, ka thënë se raketat kanë pasur qëllim “bazat sekrete izraelite”.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit e ka quajtur sulmin “të egër”, mirëpo ka thënë se asnjë amerikan nuk është lënduar dhe nuk ka dëme në objektet e Qeverisë amerikane në Irbil.

Një zyrtar amerikan i Mbrojtjes është cituar të ketë thënë se raketat janë nisur nga një qytet i Iranit, transmeton agjencia e lajmeve, Associated Press.

Forcat amerikane të stacionuara në kompleksin e aeroportit ndërkombëtar të Irbilit janë goditur në të kaluarën me raketa dhe sulme me dronë, për të cilat zyrtarët amerikanë drejtojnë gishtin te grupet e lidhura me Iranin.

Megjithatë, për sulme të tilla nuk është raportuar në muajt e fundit.

Ky sulm ka ndodhur disa ditë pas një sulmi izraelit afër Damaskut të Sirisë, i cili ka lënë të vdekur dy anëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit.

Teherani e ka dënuar ashpër sulmin dhe është zotuar se do të hakmerret./REL