Raportohet për një person të sulmuar në Kllokot, Policia po e heton rastin

Një person raportohet se është sulmuar pak orë pas mesnatës në Kllokot.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar Policia e Gjilanit. Të njëjtit kanë thënë se rasti është raportuar në Polici dhe se janë duke e hetuar.

Derisa Zyra e Petar Petkoviq ka bërë të ditur edhe emrin dhe moshën e të riut serb që dyshohet se është sulmuar. Sipas tyre, i njëjti është sulmuar në Kllokot derisa mbrëmë po kthehej nga liturgjia e Krishtlindjeve ortodokse bashkë me vëllanë e tij.

Në njoftimin e kësaj zyre thuhet se disa prej të dyshuarve janë roje në një lokal.

Më 6 janar, në vigjilje të Krishtlindjeve ortodokse, një 11-vjeçar dhe një 21-vjeçar janë plagosur në Shtërpcë. I dyshuari për plagosjen e dy të rinjve serbë është arrestuar pak orë pas sulmit në Prevallë. I njëjti është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.