Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
Raportohen shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë
Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës brenda 24 orëve të fundit në Kosovë.
Dy raste të kësaj natyre kanë ndodhur në Fushë Kosovë, një në Prishtinë, një në Gjilan, në Ferizaj, në Deçan e në Pejë.
Dy burra janë arrestuar në Fushë Kosovë nën dyshimin se janë përleshur mes vete.
“Lidhur me rastin me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”- thuhet në raport.
Në rastin tjetër në Fushë Kosovë, një burrë është arrestuar sepse dyshohet se e ka rrahur një burrë tjetër.
“Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”- thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Policia ka njoftuar se një person është arrestuar në Prishtinë më 04.08.2024 nën dyshimin se e ka rrahur një grua. Nuk raportohet për të lënduar.
“Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”- thuhet në raport.
Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Gjilan më 04.08.2024. Dy burra dhe një grua janë arrestuar nën dyshimin se janë rrahur mes vete.
“Si pasojë një femër kosovare ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor”- ka njoftuar Policia e Kosovës.
Me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Një burrë është arrestuar në Ferizaj nën dyshimin se e ka rrahur një grua. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një burrë dhe një shtetase Shqipërisë janë arrestuar dje më 05.08.2024 nën dyshimin se janë përleshur fizikisht mes vete. E dyshuara ka pranuar tretman mjekësor.
“Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje, ndërsa e dyshuara lirohet në procedurë të rregullt”- bën të ditur Policia e Kosovës.
Rasti ka ndodhur në Deçan.
Në Pejë, një grua ka raportuar në polici se është duke u shqetësuar dhe ofenduar nga një burrë. “Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime”- thuhet në raport.