Raportohen pesë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë raportuar pesë raste të dhunës në familje në Kosovë.
Sipas Policisë, në Prishtinë më 10.11.2024 një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga një person. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati. Policia nuk ka specifikuar lidhjen familjare, por rastin e ka cilësuar si “Dhunë në familje”.
Në Pejë një person është arrestuar më 10.11.2024 nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë dhe sulme verbale ndaj famljarëve të tij dhe ka filluar ta demolojë shtëpinë. I dyshuari pasi është intervistuar, me rekomandim të psikiatrit është dërguar në repartin psikiatrik në spitalin rajonal në Pejë, nën përkujdesje të forcave policore.
Në një rast tjetër në Pejë, një person ka raportuar me 10.11.2024 se një person tjetër e kishte fyer dhe kanosur me thikë. Sipas Policisë, i dyshuari është shoqëuar në stacionin policor dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.
Po ashtu në tjetër rast në Pejë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një personi tjetër. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Për të dy këto raste në Pejë, Policia nuk ka bërë të ditur lidhjet familjare, por i ka cilësuar si “Dhunë në familje”.
Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar në Mitrovicë të Veriut. Sipas Policisë, një burrë dyshohet se në vazhdimësi ka shkaktuar probleme dhe ka rrahur një grua. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt, kurse viktima së bashku me fëmijët e saj është dërguar në strehimore dhe është lëshuar urdhër mbrojtës.