Foto Ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Raportohen katër raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Katër raste te dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë.

Sipas Policisë së Kosovës, rastet kanë ndodhur në komunën Podujevës, Prishtinës, Gjilanit dhe Mitrovicës së Veriut.

Në Podujevë, një grua ka raportuar se i dyshuari më të cilin ka jetuar më parë (tani e ndarë) në vazhdimësi është duke e shqetësuar dhe frikësuar.

Rasti është nën hetime nga njësitë relevante të forcave të rendit.

Në komunën e Prishtinës dje rreth orës 12:40 një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa rasti shkon në procedurë të rregullt, thuhet në njoftim e policisë.

Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar në Gjilan.

Një burrë ka njoftuar policinë se djali i tij ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj familjarëve të tij.

“Gjatë arrestimit policët kanë hasur në rezistencë dhe janë penguar në kryerje të detyrës nga njëri prej viktimave, tani i dyshuari mashkull kosovar, i cili është arrestuar”, njofton PK.

Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Në Mitrovicë të Veriut, është raportuar se një burrë ka pasur një mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij, ku kishte ndërhyrë babai i viktimës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se me vendim të prokurorit ndaj të dyshuarit të parë është hapur rasti i cekur me lartë, ndërsa për të dyshuarin e dytë së është hapur rasti –Kanosje.