Raportimi për sanksione ndaj Qeverisë, ministri Murati: Nuk jam në dijeni
Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se nuk është në dijeni se ka ndonjë listë të sanksioneve ndaj SHBA dhe BE për Kosovën, në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre për shtensionim të situatës në veri.
Murati ka thënë se ligjshmëria duhet të mbizotërojë në gjithë vendin.
“Nuk jam në dijeni për ndonjë listë të tillë, e as për kredibilitetin e listave të tilla, dhe nuk mund të përgjigjem për këtë çështje, pikat që duhet të pajtohemi të gjithë është që ligjshmëria të mbizotërojë në të gjithë vendin”, tha Murati.
Sipas tij, nuk do të duhej të diskutohej për sanksione ndaj Kosovës, por ndaj Serbisë për shkeljet që i ka bërë.
“Nëse veç do të diskutohej për sanksione të mundshme, do të diskutohej se çfarë sanksionesh do të duhej t’i vendoseshin shtetit të Serbisë për shkak se në vazhdimësi ka shkelur marrëveshjet për të cilat jemi dakorduar si palë, duke filluar nga kjo e fundit, marrëveshja e nënshkruar apo e dakorduar në Ohër, të cilën pala serbe refuzoi ta nënshkruante dhe shkeljet flagrante që ka bërë në vazhdimësi”- tha ai.
“Duke filluar nga votimi kundër dhe lobimi për të votuar kundër shtetet e tjera, për ecjen përpara në proces të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pra konsideroj se çka do të duhej të na brengoste, është se çka do të duhej, ose cilat sanksione duhet t’i vendoseshin shtetit serb”, shtoi ai.
“Euronews Albania” ka raportuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë duke konsideruar dy faza me masa ndaj Kosovës nëse nuk u bindet kërkesave të tyre për shtensionim të situatës në veri, përfshirë shpalljen nongrada të kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, zgjedhje të reja, dhe formim të asoaciacionit pasi për më shumë se dhjetë ditë, serbë lokalë po protesojnë në afërsi të komunave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, kundër vendosjes së kryetarëv e të rinj në objektet e këtyre komunave.
Kryeministri i vendit Albin Kurti e ka ripërsëritur se për sa kohë do ketë persona të dhunshëm para objekteve të komunave, policia do vazhdojë të qëndrojë atje.
Në anën tjetër Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që t’i zhvendos zyret e kryetarëve dhe po ashtu ta tërheqë policinë nga objektet komunale.
Javën e kaluar Kosova është përjashtuar nga ushtrimi ‘Europe Defender 23” duke u paralajmëruar edhe pasoja të tjera në rast se nuk merren parasysh kërkesat.
Escobar: Nuk kam dhënë afat në Prishtinë, pyeta se cilët ishin hapat tutje