Foto: MPJD

Raportimi për arrestimin e dy të rinjve kosovarë nga autoritetet serbe, deklarohet MPJD

Në mëngjesin e 26 nëntorit është raportuar se dy të rinj nga Podujeva janë arrestuar nga autoritetet serbe.

Leutrim Sahiti, këshilltar i ministres të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, i ka dërguar Qeverisë së Serbisë përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë kërkesë formale për ta konfirmuar rastin.

Gjithashtu, sipas Ministrisë, është kërkuar që të ofrohen detajet tjera relevante, përfshirë identitetin e personave të arrestuar si dhe lokacionin ku janë duke u mbajtur.

“Lidhur me këtë është i njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Beograd”- tha Sahiti për KALLXO.com.

Sahiti tha se në momentin e konfirmimit, diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse së Kosovës në Serbi do të bëjnë kërkesë zyrtare për vizitën e tyre në qendrën e paraburgimit ku janë duke u mbajtur.