Raportimi në kohë lufte, si e filluan punën e tyre korrespondentët nga Kosova?

Gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë prezenca e mediave ndërkombëtare nuk ka munguar.

Këto media, përpos stafit të tyre që kanë dërguar, kanë punësuar edhe korrespondentë nga Kosova që kanë kryer punën e gazetarit e të përkthyesit.

Një nga ta është Linda Gusia, ish-hulumtuese e medias amerikane “Washington Post”.

Gusia në emisionin “Kallxo Përnime” ka ndarë kujtimet e saj të raportimit gjatë luftës.

Ajo ka treguar se në “Washington Post” është angazhuar në kohën kur kanë filluar masakrat nga forcat serbe në Kosovë.

Gusia ka thënë se puna e saj nuk ka qenë diçka e madhe, por ajo çfarë ka pasur mundësinë të bëjë.

“Nuk ka qenë ndonjë sakrificë, ka qenë ajo që kemi mujtë me bo”, është shprehur Gusia.

Ajo ka thënë se gjatë punës ditore që ajo ka pasur, e që ka qenë të vizitojë së bashku me stafin e “Washington Post” zonat ku ka pasur masakra dhe zhvillime të reja të luftës, është ballafaquar edhe me rrezik.

“Pa ka pasur të shtëna, kemi qenë duke ecë nëpër mina, po ka qenë luftë”, tha ajo.

Fatin e njëjtë si të sajin e ka pasur edhe Safet Gashi, ish-hulumtues dhe producent për ITN dhe Channel 4.

Gashi raportimin e tij për luftën e ka filluar në fund të 1997 me një gazetar të pavarur të Channel 4 me të cilin ka vizituar malet e Drenicës, mirëpo në atë kohë nuk kanë gjetur asgjë.

Pas kësaj, Gashi ka shkuar në Gjermani për pushime, ndërsa gazetari i Channel 4 është kthyer dhe ka vazhduar raportimet e tij për Kosovën.

Gashi ka thënë se pasi është kthyer nga pushimet, për shkak të kësaj vizite që ka bërë me gazetarin e huaj në malet e Drenicës është arrestuar.

Lirimi i tij ka ardhur pasi ka treguar se ka qenë në Gjermani.

“E kam pasë dëshminë e vizës dhe jam liru”, ka thënë ai.

Përpos Gashit e Gusias, edhe Belma Bajrami, ish-producente për BBC-në, ka bërë një punë të njëjtë.

Ajo ka treguar se shtysë për të raportuar për luftën e ka pasur babinë e saj.

“Kur po mendoj ndonjëherë nuk e di qysh jemi gjendur, veç i kemi hypë kerrit edhe kemi dalë”, ka thënë Bajrami.

KALLXO.com në emsionin e mbrëmshëm ka transmetuar rrëfimin e gazetarit britanik. Vaughan Smith, i cili gjatë luftës në Kosovë kishte xhiruar sulmin në Prekaz dhe kufomat e të vrarëve.

www.kallxo.com