Raportimi i qytetarëve, Policia identifikon shtatë migrantë që hynë ilegalisht në Kosovë

Policia e Kosovës në Prizren, ka identifikuar shtatë migrantë, shtetas të huaj të cilët hynë në Kosovë në mënyrë ilegale. Për këtë rast, një person shtetas kosovar, u arrestua.

Kjo erdhi pasi organet e rendit pranuan informacione nga qytetarët në lidhje me këtë rast.

PK përmes një komunikate për media ka theksuar se rreth orës 09:40, ka ndaluar një automjet të dyshuar me tabela shqiptare dhe gjatë kontrollimit në brendësi të automjetit janë gjetur shtatë persona migrantë ilegalë, shtetas të huaj.

Një person i dyshuar, shtetas kosovar është ndaluar dhe për këtë rast është njoftuar edhe policia kufitare në Vërmicë, bëhet e ditur tutje.

“Lidhur me këtë janë njoftuar të gjitha njësitet e nevojshme policore, është kontaktuar Prokurori kujdestar dhe është marrë rekomandimi që rasti të adresohet në kompetencë të Njësitit të Migrimit për trajtim të mëtejmë të rastit sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në komunikatë.