Raportimi i KALLXO, suspendohet kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala

Kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala është suspenduar sot nga puna.

Ky suspendim vjen një ditë pasi KALLXO.com publikoi videon në të cilën Buzhala dyshohet se shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë.

Vendimi për suspendimin e tij, është marrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

“Pas suspendimit të Kryeprokurori Buzhala, Këshilli Prokurorial ka marr vendim për caktimin e prokurorit, Enis Gashi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës”, thuhet në komunikatën e KPK-së.

“Ese aktakuza, Prokurori i Shtetit, Gjykata Kushtetuese”, kështu fillon një mesazh i cili i është dërguar ekipit të KALLXO.com në orën 11:25 më datën 13 korrik 2022.

Ky mesazh i dërguar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala në numrin e gazetares së KALLXO.com, autores së këtij artikulli, vazhdon tutje me përmbajtjen: “Pyetje: vazhdimi i paraburgimit për të mitur, kush e zgjedh drejtorin e njësitit të performancës, dënimet plotësuese, procedurat alternative, dallimi lirim me kusht dhe dënimi me kusht, dallimi në mes të parashkrimit të ndjekjes dhe ekzekutimit të dënimit, qëllimi i masave të diversitetit, dorëzania”.

Kryeprokurori Buzhala i drejtohet dikujt se “këto janë pyetjet e testit me shkrim. Shiko shfrytëzoje kohën deri në orën 13:00”.

KALLXO.com mëson së pyetjet kanë qenë për testin me shkrim për bashkëpunëtor profesionalë, test i cili është mbajtur gjatë ditës së sotme brënda objektit të ish-Rilindjes, ku është edhe Ministria e Drejtësisë.

Kryeprokurori Buzhala pasi dërgoi pyetjet dhe udhëzimin se ka kohë deri në orën 13:00, tutje ai vazhdon të thërras në telefon ndërsa kur përgjigjet ekipi i KALLXO.com, ai nis arsyetimin.

“Adelina, përshëndetje! Adelina… Adelina…! Ja gabim, gabim jem, Adelina gabim është diçka…”, nis bisedën kryeprokurori Buzhala, derisa nuk përgjigjet se nga kush i ka marrë këto pyetje?

“Po më fal ku keni dashtë me i dërgu këto pyetje, ku i ke adresu?”, pyetet nga gazetarja.

“Janë gabim, gabim janë, qe s`priton me i fshi…”, kërkon kryeprokurori Buzhala nga ekipi i KALLXO.com.

Në momentin që kryeprokurori Buzhala merr vesh se pyetjet janë dërguar në adresë të gazetares së KALLXO.com, ai kërkon sërish fshirjen e përmbajtjes së mesazhit me pyetjet për testin me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë.

Ai nuk pranon të jap përgjigje se kujt ia kishte adresuar këto pyetje, ndërsa vazhdon sërish të kërkoj që të fshihen ato.

“Adelina të kesh mirëkuptim sepse gabim janë dorëzu…”, thotë gjatë bisedës me KALLXO.com, kryeprokurori Buzhala.

“Kryeprokuror është e rëndësishme me e dit se ku keni dashtë me i dërgu, do të thotë pyetjet dhe kë e keni udhëzu se si me u përgjigj?”, vazhdon insistimin ekipi i KALLXO.com për të marrë përgjigje nga ana e kryeprokurorit Buzhala, se për kë janë të destinuara këto pyetje të cilat ai i kishte nisur mëngjesin e sotëm në adresë të KALLXO.com.

Në njërën nga sekondat e bisedës, dëgjohet prokurori deri sa shprehet “kuku. Q….n…. dhe mbyll telefonin”.

KALLXO.com me të marrë vesh se ishte duke u mbajtur një test me shkrim për bashkëpunetorë profesionalë për disa prokurori të ndryshme, ka shkuar në ndërtesën ku po mbahej testi me shkrim.

Gjatë asaj kohe sa ekipi qëndroi në ndërtesë, gjatë bisedave me disa nga të testuarit për pozitën e bashkëpunëtorit profesionalë, të njëjtit ia konfirmuan ekipit të KALLXO.com se pyetjet ishin të ngjashme sikurse ato që i kishte dërguar kryeprokurori Buzhala gazetares së KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar me dhjetëra herë të kontaktoj sërish me kryeprokurorin Buzhala. Ai në asnjë moment nuk është përgjigjur, as në thirrje e as në mesazhet që i ka dërguar ekipi i KALLXO.com.

Në lidhje me rastin, KALLXO.com menjëherë ka kontaktuar edhe me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

I pyetur fillimisht, nëse aktualisht ka ndonjë konkurs për bashkëpunëtorë profesionalë, Kryeprokurori Kelmendi tha se e di që ka, por jo saktësisht.

“A ka dhënë ndonjë sqarim kryeprokurori për këtë çështje? E qartë e gjitha po e kuptoj si ka shkuar. Do të kërkoj përgjigje dhe do të shoh se çka do të thotë ai në lidhje me këtë çështje”, thotë u.d. Kryeprokurori Kelmendi.

“Të presim sepse nuk e di a ka pas test sot ose nuk ka pasur duhet të shikohet, nuk jam në rrjedha sepse është çështje e KPK, por do të kërkoj përgjigje nga kryeprokurori dhe ai do të sqaroj të gjithë situatën dhe ato që u ngritën nga ana juaj. Nuk dua të supozoj sepse nuk e di, të presim njëherë përgjigjen dhe pastaj reagimi do të jetë konform ligjeve”, thotë tutje Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi në një bisedë me KALLXO.com.

KALLXO.com ka shkuar edhe një hap më tutje, ka tentuar sërish të telefonoj kryeprokurorin Buzhala por i njëjti ka bllokuar numrin e gazetares së KALLXO.com.

Në lidhje me këtë çështje, është tentuar edhe biseda me kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, por i njëjti nuk i është përgjigjur telefonatave të ekipit të KALLXO.com.