Raportimi i KALLXO.com për skandalin me pyetjet e testit: Supremja vërteton degradimin e ish-kryeprokurorit të Gjakovës, Ramiz Buzhala

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

_________________________________________________________________________________

Ish- kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala, pas transferimit të tij në Departamentin e Përgjithshëm në Prokurorinë e Pejës, ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës në Gjykatën Supreme.

Gjykata Supreme me anë të një vendimi ka refuzuar ankesën e Buzhalës ndërsa ka vërtetuar vendimin e KPK-së për degradimin e tij për shkak të skandalit që publikoi KALLXO.com në lidhje me shpërndarjen e pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesionalë vitin e kaluar.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Supremes për rastin e Buzhalës. Në po të njëjtin vendim thuhet se KPK më 23 dhjetor kishte aprovuar raportin e panelit hetimor në lidhje me rastin e iniciuar më 24 nëntor 2022 për lëndën disiplinore ndaj Buzhalës në të cilin kishte vërtetuar se ish- kryeprokurori kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Pasi ishte bërë vërtetimi i fakteve për Buzhalën, KPK kishte marrë vendim për degradimin e të njëjtit nga pozita e kryeprokurorit në pozitën e prokurorit të përgjithshëm në Prokurorinë në Pejë.

Në ankesën që kishte paraqitur në Supreme, Buzhala kishte kërkuar që Gjykata ta anulojë vendimin e KPK-së për degradim, ose vendimin e KPK ta ndryshojë duke e liruar atë nga përgjegjësia disiplinore, nëse e gjen përgjegjës ta ndryshojë masën dhe t’i shqiptojë ndonjë masë shumë më të butë në pajtim me shkeljen e gjetur.

Gjykata Supreme ka vërtetuar se faktet në lidhje me skandalin e Buzhalës janë të vërteta dhe se ankesa e tij u vërtetua si e pabazuar.

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me marrëveshjen që kishte ofruar Buzhala në panelin hetimor në lidhje me çështjen e tij për të cilën është raportuar vitin e kaluar.

Ai kishte pranuar fajësinë ndërsa kishte kërkuar nga anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës që masa t’i caktohej për transferim të tij nga Gjakova si kryeprokuror në prokuror të Departamentit të Krimeve të Rënda në Prizren.

Në korrik të vitit të kaluar, më saktësisht me datë 14, KPK kishte marrë vendim që Buzhala pas skandalit të suspendohej nga detyra e kryeprokurorit të Gjakovës me pagë 50 për qind.

Në po të njëjtën ditë, KPK kishte formuar edhe komisionin hetimor për trajtimin e këtij rasti i cili nga KALLXO.com u bart edhe në Prokurorinë e Shtetit dhe KPK.

Më 14 korrik të vitit të kaluar KALLXO.com pati raportuar në lidhje me rastin Buzhala.

Dyshime se Kryeprokurori i Gjakovës shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë – VIDEO