Ilustrim

Raportimi i KALLXO.com, ndëshkohet mësimdhënësi i matematikës në Prishtinë

Bashkëpunimi i qytetarëve me KALLXO.com i ka dhënë fund “biznesit” të një mësimdhënësi të Prishtinës me nxënësit e tij.

Disa prindër janë ankuar në KALLXO.com se profesori i matematikës i një shkolle të mesme në Prishtinë po i kushtëzon nxënësit me ndjekjen e kursit për lëndën e tij tek ai me pagesë.

Pas mbledhjes së informacioneve, KALLXO.com rastin e ka raportuar në Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prishtinës.

Drejtoresha e Arsimit, Besianë Musmurati, ka njoftuar se pas raportimit të KALLXO.com kanë krijuar një komision në Drejtorinë e Arsimit, i cili ka kryer një vizitë dhe inspektim në shkollë.

Musmurati ka treguar se komisioni ka intervistuar zëvendësdrejtorin e shkollës, në cilësinë e menaxherit të drejtpërdrejtë, dhe mësimdhënësi në fjalë.

Sipas drejtoreshës, zëvendësdrejtori i shkollës ka thënë se nuk ka njohuri për rastin dhe se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë raportim nga ndonjë prind apo nxënës.

Ndërsa, sa i përket mësimdhënësit, përpos që ka pranuar se ka mbajtur kurse me pagesë për nxënësit e tij, ai po ashtu është zotuar se do të ndalojë një praktikë të tillë.

Në një postim në Facebook, drejtoresha e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka thënë se mësimdhënësit nuk mund të detyrojnë nxënësit të mbajnë kurse private me pagesë.

“Pas raportimit nga Kallxo.com në Drejtorinë e Arsimit në lidhje me rastin e një arsimtari që po mbanë kurse private për nxënësit e vet, reaguam menjëherë. Rekomanduam shqiptimin e gjobës dhe e dhamë vërejtjen e parë. Kjo praktikë ku mësimdhënësit detyrojnë nxënësit e tyre të mbajnë kurse private duhet të marrë fund. Rregullorja e ndalon këtë praktikë, prandaj do ta zbatojmë në plotni. I bëj thirrje prindërve dhe nxënësve që të raportojnë praktika të tilla në drejtorinë e shkollës dhe në Drejtorinë e Arsimit. Nëse fëmijët kanë nevojë për kurse plotësuese, atëherë angazhimi duhet të jetë që orët shtesë të mbahen në shkollë, pa pagesë” – ka shkruar Besianë Musmurati.

Në një deklarim për KALLXO.com, drejtoresha e Arsimit tha se rekomandimi për gjobë dhe vërejtje me shkrim ndaj mësimdhënësit ka qenë i bazuar në rregulloren për organizimin e punës në shkolla të mesme të ulëta dhe të mesme të larta.

Drejtoresha e Arsimit tha se në rast se kjo praktikë nuk do të ndërpritet nga mësimdhënësi, atëherë do të marrin masa me komision disiplinor.

Ajo shpjegoi se nga ana e DKA-së nuk lejohet që të jepen vërejtje drejtpërdrejt për mësimdhënësit, por një gjë e tillë bëhet duke rekomanduar drejtorët që të marrin masa të përcaktuara në bazë të rregulloreve apo ligjit.

Musmurati tregoi se në rast se drejtori, apo zëvendësdrejtori, siç është rekomanduar ai në rastin në fjalë nuk merr masa, atëherë DKA merr masa të njëjta edhe ndaj tyre.