Ilustrim, Foto: KALLXO.com

Raportimet në KALLXO.com dërguan hetuesit tatimor në bastisje tek biznesi që ofron mbjellje të flokëve

Një raportim i paraqitur para pak muajsh në KALLXO.com se një biznes në Prishtinë i cili ka për aktivitet mbjelljen e flokëve është duke iu shmangur detyrimeve tatimore ka rezultuar me bastisje dhe veprime hetimore nga ana e institucionit kryesor për mbledhjen e taksave në vend.

Zyra Ligjore e KALLXO.com kishte dërguar raportimin në njësitë e inteligjencës tatimore për trajtim të mëtejmë.

Pas këtij raportimi, ATK ndërmori një aksion të gjerë tatimor me përkrahjen e forcave policore i cili rezultojë me sekuestrimin e shumë e dokumenteve të cilat më pas do të krahasohen me të dhënat që i posedon institucioni tatimor.

Bastisja në dy lokacionet e këtij biznesi u ndërmor pasi Administrata Tatimore e Kosovës ka vlerësuar se ka pasur mospërputhje të mëdha në deklarimet tatimore dhe të dhënat të cilat i posedon inteligjenca e ATK-së për biznesin në fjalë.

Gjithë këtij aksioni sipas njoftimit i ka paraprirë urdhëresa e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bastisjen e dy lokacioneve të këtij biznesi.

“Departamenti i Hetimeve të Intelegjencës Tatimore, pas ndjekjes së të gjitha procedurave më Prokurorin dhe pas aprovimit të urdhëresës për bastisje nga ana e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, me qëllim të sigurimit të fakteve kemi zhvilluar një aksion kontrolli ( bastisje )”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Si prova në këtë aksion janë sekuestruar përkohësisht, dokumentacioni kontabël, faturat e shitjes së shërbimeve, evidenca e klientëve për shërbimet e kryera, lista e produkteve në stoqe, 2 USB dhe ekstraktimi i dosjeve elektronike  nga 5 kompjuterë, si dhe shënime të tjera relevante rreth rastit.

Në fillim të vitit 2022, KALLXO.com kishte pranuar informacione se biznesi që ka për aktivitet mbjelljen e flokëve, përkundër numrit të madh të klientëve nuk po lëshonte kuponë fiskal.

Krahas këtyre informacione KALLXO.com kishte siguruar dokumente të cilat paraqisnin dyshime për shkelje të mëdha tatimore.

Të gjitha këto informacione i kishte bartur në inteligjencën e ATK-së për trajtim të mëtejmë.

Për vite më radhë bashkëpunimi në mes të KALLXO.com dhe ATK ka rezultuar me mbi 200 mijë euro gjoba për evazion fiskal nga biznese të ndryshme në të gjithë vendin si dhe me regjistrimin e mbi 200 punëtoreve të cilët kanë qenë duke punuar pa kontrata pune.